Drejtuesit e Vetëvendosjes vizitojnë FSK-në
Një delegacion i Lëvizjes Vetëvendosje i kryesuar nga kryetari Albin Kurti, sekretarja organizative Vlora Haxhimehmedi, deputeti Xhelal Sveçla, ish-gjenerali Enver Dugolli, deputeti dhe ish-koloneli i FSK-së Shemsi Syla, si dhe anëtari i kryesisë e po ashtu ish-koloneli i FSK-së Ajet Potera, kanë vizituar të premten Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) me ç’rast janë pritur nga komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama, koloneli Jeton Dreshaj, koloneli Agron Bajrami si dhe drejtori për Politika dhe Plane Faruk Geci.
Zyrtarët e kësaj partie e kanë quajtur këtë takim të nevojshëm pas kalimit të projektligjit për FSK-në për t’u parë se ku dhe si mund të ndihmohet më tutje.
Gjenerallejtënant Rrahman Rama ka falënderuar Lëvizjen Vetëvendosje për mbështetjen e dhënë dhe për votimin të projektligjit për FSK-në.
Ai ka shpjeguar historikun e transformimit që prej UÇK-së në TMK e më pas zhvillimit të FSK-së.
Deputeti Sveçla ka treguar se në Komisionin për Siguri po punon për disa ndryshime që të mos ketë pengesa në të ardhmen.
Nga ana e delegacionit të LV-së është thënë se mbështetja për ushtrinë është obligim yni.
Po ashtu, gjatë takimit pati pajtueshmëri së çështja e zhvillimit dhe avancimit të FSK-së duhet prioritizuar në aspektin buxhetor.
Me një ushtri të përgatitur e armatosur mirë, qytetarët e Kosovës do të kishin më shumë vetëbesim, më shumë siguri dhe më shumë shpresë për të ardhmen e vendit./Epoka e re/