Dren Gashi: Ferizaj nuk largohet nga Superliga
Sulmuesi Dren Gashi është optimist se skuadra e Ferizajt, pavarësisht prej rezultateve jo të mira deri tash në Superligë , nuk do ta ketë problem mbijetesën.
KF Ferizaj e ka regjistruar vetëm fitoren e katërt në ndeshjen ndaj KEK-ut dhe aktualisht pozicionohet në pjesën e poshtme të tabelës në IPKO Superligën e Kosovës në futboll, por sulmuesi Dren Gashi është i sigurt se kjo skuadër do të mbijetojë në elitë. Ai ka thënë se edhe trajneri Afrim Tovërlani është duke bërë punë të mirë në skuadër.
“Normalisht se kam besim të madh se Ferizaj nuk do të bjerë nga Superliga, pasi ka trajnerë dhe futbollistë cilësorë. Trajneri është duke bërë një punë të jashtëzakonshme, për çfarë nuk kam asnjë vërejtje. Ai kërkon maksimumin nga lojtarët për të fituar sa më shumë ndeshje. Cilësia dhe angazhimi nuk po mungon, por fati në disa raste po”, ka thënë Gashi për “Epokën e re”.
Njërin nga dy golat e shënuara në sfidën ndaj KEK-ut në Obiliq e realizoi ish-sulmuesi i Prishtinës, por ai është i kënaqur më shumë me tri pikët sesa me golin.
“Ishte goli i tretë personal në këtë edicion, por më shumë jam i kënaqur me fitoren e arritur. Ne si klub jemi duke luajtur hapur në çdo lojë dhe kjo tregon se nuk kemi frikë nga kundërshtarët, por rezultatet e deritanishme nuk janë shumë reale për faktin se jemi paraqitur mirë në shumicën nga ndeshje dhe humbjet kanë ardhur për shkak të disa hollësive të vogla”, ka shtuar ai.
Lojën e radhës Ferizaj në kuadër të javës së pesëmbëdhjetë sërish e luan si mysafir dhe kësaj radhe përballë e ka skuadrën e fuqishme të Feronikelit. Lidhur me këtë ndeshje sulmuesi Gashi ka deklaruar: “Kemi një kundërshtar të fortë përballë, por synimet tona janë që të rikthehemi nga Drenasi me rezultat pozitiv”. Nga katërmbëdhjetë ndeshjet e zhvilluara, Ferizaj ka regjistruar katër fitore, një barazim dhe nëntë humbje.
Aktualisht kjo skuadër pozicionohet e dhjeta me 14 pikë, një pikë me shumë se skuadra e parafundit dhe dy më pak se Trepça ’89 që është e nënta në Superligë.
/Veton ZYMBERI/