Drenasi dhe Iniciativa për Zhvillimin e Bujqësisë nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka pritur në takim drejtorin ekzekutiv të Iniciativës për Zhvillimin e Bujqësisë së Kosovës, Zenel Bunjaku, me ç’rast kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi.
Komuna e Drenasit dhe IADK-ja me nënshkrimin e kësaj marrëveshje, pajtohen të rregullojnë një bashkëpunim të afërt me qëllim të ruajtjes së vazhdimësisë së projekteve bujqësore të realizuara nga Iniciativa për Zhvillimin e Bujqësisë së Kosovës (IADK) në Komunën e Drenasit.
Kjo marrëveshje ka për qëllim të përshkruaj bashkëpunimin në mes Komunës së Drenasit dhe IADK-së gjatë periudhës shtator 2018-qershor 2020, për të drejtat dhe detyrat e palëve kyçe, ku si qëllim i fundit është ndihma dhe përkrahja e fermerëve të kthyer të cilët do të jenë në gjendje të prodhojnë për nevoja të veta dhe për treg.
“Iniciativa për Zhvillimin e Bujqësisë së Kosovës (IADK) është duke e zhvilluar projektin ‘Përfshirja ekonomike e të kthyerve përmes bujqësisë në zonat rurale dhe ngritja e kapaciteteve përmes trajnimeve profesionale’ në Komunën e Drenasit dhe katër komuna tjera, përkrahur nga Deutsche Gesellschaft fur Internacionale Zusammenarbeit (GIZ), i mandatuar nga Qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë”, thuhet në komunikatën për media të Komunës së Drenasit.
/Epoka e re/