Drenasi mban seancë për 28 Nëntorin, ja çka deklaroi Lladrovci në seancë solemne
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka mbajtur fjalë rasti në seancën solemne kushtuar 28 Nëntorit.
Pas seancës, ja çfarë ka shkruar kryetari Lladrovci në Facebook:
“Në seancën solemne të Kuvendit të Komunës së Drenasit, për nder të festave të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë, ditëlindjes së Komandantit Legjendar Adem Jashari, daljes së parë publike të UÇK-së dhe vitit jubilar kushtuar Heroit Kombëtarë, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, mbajta këtë fjalim:
I nderuari kryesues i Asamblesë Komunale,
Të nderuar asamblistë,
Familjarë të dëshmorëve, invalidë dhe veteranë të UÇK-së,
Shoqata të dala nga Lufta e UÇK-së,
Zonja e zotërinj,
Me këtë seancë solemne, shprehim respektin tonë të thellë, për të gjithë patriotët e veprimtarët që me kontributin e tyre, thellë në historinë tonë të re, rrënjosën sakrificën dhe përkushtimin atdhetar, duke shprehur veçantinë tonë, që nga heroi ynë kombëtar, Skënderbeu që erdhi në Krujë më 28 Nëntor, për të arritur në nëntorin e dytë të Ismail Qemalit, Flamurit dhe shpallja e pavarësisë së Shqipërisë.
Në këtë ditë, bacës Shaban Jashari, i lindi djalë, dhe shënojmë me krenari ditëlindjen e Komandantit tonë legjendar, Adem Jashari, po në këtë ditë, shënojmë daljen e parë publike të UÇK-së në Llaushë.
Këto ditë të shenjta për kombin tonë, përfaqësojnë gjithë energjinë tonë shekullore për atdheun, kombin dhe lirinë. Këto katër ngjarje, përbëjnë boshtin e gjithë historisë tonë të re.
Të nderuar asamblistë,
Zonja e zotërinj,
Sot, me nderim të thellë kujtojmë Epopenë e UÇK-së, betejat dhe aktet historike të Ademit e Hamzës, të një lufte legjendare që i dha drejtim historisë tonë të re dhe fillimin e mobilizimit total dhe çlirimit të Kosovës.
Po, ndjehemi krenar me këto data historike, sepse bartin mesazhin ndër shekuj për liri e pavarësi, për çlirim dhe shtet.
Ky 28 nëntor, na gjen me shtatoret e heroit dhe heroinës, Fehmiut dhe Xhevës, ndërsa jemi edhe në proces të finalizimit të shtatoreve për heronjtë që i mungojnë hapësirës tonë, Rasim Kiqina, Ilaz Kodra dhe Bedri Shala, që do t’i përurojmë në Prill, Maj dhe Gushtin e vitit 2019, në datat e rënjve të tyre.
Gjithsesi, jemi në prag të themelimit të Ushtrisë tonë, e cila së bashku me aleatët tanë do të jetë ushtri sipas standardeve të NATO-së, e ngritur mbi përkushtimin shekullor të patriotëve tanë.
Sot, me nderim të thellë, kujtojmë të gjithë të rënët për atdhe, për jetën e veprën e tyre madhore, të mijëra dëshmorëve, martirëve dhe të pagjeturve që vendit i sollën dritë.
Gjithsesi, sot është ditë kur kujtojmë edhe poetin dhe mësuesin tonë, Fazli Grajçevcin, Ymer Elshanin e mijëra intelektualë e veprimtarë që kontribuuan për lirinë tonë.
Sot, ua uroj 28 nëntorin të gjithë qytetarëve të Drenasit, Drenicës dhe kombit tonë, si dhe uroj të gjithë shqiptarët kudo që janë, me urimin më të sinqertë për sa më shumë besim ndaj njëri-tjetrit, më shumë përkushtim sepse kurrë kombi ynë, nuk ka qenë më i bashkuar dhe më unik në rrugën euro-atlantike.
Ne nesër, së bashku do të vëmë kurora me lule dhe do të bëjmë homazhe në të gjitha varrezat e dëshmorëve në komunën tonë dhe në Prekazin legjendar, ne do t’i kujtojmë përjetë ata, me zotimin se do të punojmë në pajtim me ligjin, për të gjithë pa dallim, me transparencë e llogaridhënie.
Sepse, kjo është rruga më e mirë për t’i qëndruar besnik amanetit të dëshmorëve tanë, për t’i qëndruar besnik, qëllimeve të qytetarëve dhe institucioneve tona, për një Kosovë të zhvilluar.
Ne duhet dhe mund të punojmë më shumë, ne duam dhe mundemi të punojmë më mirë, për Drenasin tonë e Drenicën, për djepin e lirisë dhe burimin e historisë tonë të re, UÇK-së.
Lavdi jetës dhe veprës së heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të lirisë!
Urime dhe gëzuar 28 Nëntori!”