Drenasi përfiton një donacion me komposterë shtëpiake dhe kontejnerë
Komuna e Drenasit me mbështetjen e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Gjerman (GIZ), në kuadër të projektit për ndarjen e mbeturinave në burim, ka shtrirë edhe sistemin për kompostim dhe ka përfituar një donacion prej 326 komposterësh shtëpiakë si dhe 100 kontejnerë me kapacitet 240 litra të cilët do të shërbejnë për ndarjen e mbeturinave organike nëpër ekonomitë familjare në zonat e caktuara sipas pilot projektit.
Përmes këtij projekti do të sigurohen parakushtet për ekonomitë familjare për ndarjen e mbeturinave organike përmes ofrimit të komposterëve. “Nga ky projekt priten shumë përfitime duke filluar nga zvogëlimi i kostos së deponimit të mbeturinave përmes reduktimit të sasisë së mbeturinave që bartën në deponitë regjionale, profit ekonomik familjar për prodhimin e plehut organik. Kjo do të ndikojë edhe ngritjen e vetëdijes së komuniteti për rëndësinë e trajtimit të mbetjeve si resurs për përfitim”, ka njoftuar Komuna e Drenasit.
Sipas këtij njoftimi, kjo komunë mbetet e përkushtuar për zbatimin e sistemit të integruar të menaxhimit të mbeturinave përmes “3R” (redukto, ripërdor, riciklo), duke përdorur praktikat me të avancuara për këtë qëllim.
/Epoka e re/