‘Drenica 1’ kthehet në rigjykim
Rasti “Drenica 1”, për të cilin është dënuar ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi, do të kthehet në rigjykim.
Për kthim në rigjykim ka vendosur Gjykata Supreme e Kosovës, duke ia kthyer komplet lëndën për një tjetër proces Gjykatës Themelore të Mitrovicës.
Këtë gjë e ka konfirmuar avokati i Selimit, Tomë Gashi, i cili përmes një shkrimi në llogarinë e tij në “Facebook” ka thënë se pret që së shpejti drejtësia të triumfojë dhe klienti i tij të lirohet.
“Më në fund padrejtësia e qëllimshme ndaj komandantit të shtabit të përgjithshëm të UÇK-së SYLEJMAN SELIMI do të përfundojë, dhe së shpejti ai duhet të lirohet i pafajshëm. Ditën e fundit të punës së misionit të dështuar të Eulex-it në Kosovë ne, ekipi i avokatëve mbrojtës kemi pranuar aktgjykimin me të cilin është aprovuar ankesa jonë dhe rasti “Drenica 1” është kthyer në rigjykim ngase janë vertetuar padrejtësitë ndaj tij dhe të gjithë ushtarëve të UÇK-së të dënuar padrejtësisht në këtë rast”, ka thënë Gashi.
Sylejman Selimi, që dikur edhe komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe ambasador i Kosovës në Shqipëri, është i dënuar me dënim unik prej 8 vjetësh për dy rastet Drenica 1 dhe 2 mbi bazën e akuzave për krime të luftës.