“Drenica djep i UÇK-së”, libër nga Hamdi Thaçi
Në Sallën e Kuqe në Prishtinë është përuruar libri “Drenica djep i UÇK-së” nga autori Hamdi Thaçi.
Recensenti i librit, ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Jakup Krasniqi, e ka vlerësuar lart librin, ndërsa ka thënë se, thashethemet se Adem Jashari nuk u ndihmua kur u sulmua në shtëpinë e tij, nuk janë të vërteta.
“Të tilla gjëra nuk qëndrojnë, e them me bindje se atë ditë shumë njerëz s’kanë mundur t’u shkojnë në ndihmë Jasharëve”, ka thënë ai. Ai ka shtuar se sakrifica e Jasharëve është një sakrificë që meriton respekt në përmasa edhe më të mëdha se që është sot. Ndërsa redaktori i librit, Ferki Karaxha, ka treguar se një nga temat që autori e ka trajtuar më së shumti në librin e tij është filozofia e luftës së komandantit Adem Jashari. “Autori ka përcjellë me kujdes të gjitha zhvillimet e UÇK-së të brigadës së Fehmi Lladrovcit. Shumë zëra janë përpjekur e po përpiqen edhe sot që ta nënvlerësojnë luftën e UÇK-së, por autori ju sjell fakte të cilat dëshmojnë të kundërtën”, ka thënë Karaxha.