Drenica e motivuar kërkon pikë edhe ndaj Llapit
Portieri Arion Ymeri ka thënë se, pas rezultateve të mira në pesë xhirot e fundit, Drenica kërkon rezultat të favorshëm edhe në ndeshjen ndaj Llapit e cila zhvillohet sot (e premte) nga ora 13:00. Në anën tjetër, Labinot Osmani ka paralajmëruar se tri pikët e plota do të mbesin në “Zahir Pajaziti”. Tri ndeshjet e tjera zhvillohen nesër (e shtunë) dhe dy ndeshjet e fundit zhvillohen pasnesër (e diel).
Skuadra e Drenicës ka hyrë në një seri të rezultateve pozitive dhe këtë seri po synon ta vazhdojë edhe në ndeshjen ndaj Llapit e cila zhvillohet sot (e premte) nga ora 13:00 në stadiumin “Zahir Pajaziti”.
Portieri Arion Ymeri ka thënë të enjten për “Epokën e re” se skuadra kuqezi nga Skenderaj është shumë e motivuar që të marrë rezultat pozitiv edhe në ndeshjen e radhës, pasi në pesë ndeshjet e fundit nuk ka pësuar asnjë humbje, madje ka pranuar vetëm një.
“Jemi në një seri të rezultateve pozitive. Në pesë ndeshjet e fundit jemi pa humbje. Shkojmë në Podujevë, në një terren mjaft të vështirë, që të marrim rezultat pozitiv dhe të mos e ndërpresim këtë seri të suksesshme. Motivi është shumë i lartë, sepse kemi pranuar vetëm një gol dhe besojmë se mund t’ia arrijmë synimit”, ka thënë Ymeri, i cili ka konfirmuar se Tahir Lushtaku i ka të gjithë futbollistët në dispozicion për këtë ndeshje.
“Jemi të kompletuar për këtë ndeshje. Llapi është në presion më të madh se ne, sepse në xhirot e fundit nuk ka arritur rezultate pozitive. Do të jetë një ndeshje e vështirë për të dyja klubet dhe shpresojmë që do t’ia dalim me sukses”, ka shtuar ai.
Ndërsa skuadra e Llapit nuk po tregon stabilitet për arritjen e rezultateve pozitive, pasi nga pesë ndeshjet e fundit ka regjistruar dy fitore dhe tri humbje. Futbollisti me përvojë të madhe në këtë klub, Labinot Osmani, ka thënë për gazetë se synim i skuadrës nga Podujeva është rikthimi te fitoret.
“Ne do ta japim maksimumin në këtë ndeshje për fitore dhe për rikthimin e rezultateve. Ne nuk mendojmë për hakmarrje për humbjen në ndeshjen e parë, por do të përqendrohem që t’i arkëtojmë tri pikë të plota. Mungesë të vetme në këtë ndeshje, për shkak të kartonëve, e kemi Benjamin Eminin”, ka deklaruar Osmani.
Skuadra e Llapit ka kërkuar mbështetje para ndeshjes me Drenicën në mënyrë që të këndellet pas dy humbjeve radhazi në elitë.
“Skuadra është duke punuar maksimalisht për duelin e fundjavës, ku synohet këndellja pas dy humbjeve radhazi, të cilat janë mësim për
ndeshjet e ardhshme e që duhen harruar sa më parë, teksa në këto çaste jo të mira rezultatesh na duhet mbështetje e parezervë e të gjithëve
që t’i vazhdojmë ndeshjet e tjera me
ecuri pozitive”, thuhet në njoftimin e Llapit.
Aktualisht skuadra e Llapit është e pesta në renditjen tabelore me 20 pikë, kurse Drenica renditet dy pozita më poshtë me 17 pikë.
/Veton ZYMBERI/