DRENICA NË KRYENGRITJET E VITEVE 1913-1914 DHE TERRORI SERB NDAJ SHQIPTARËVE

01 korrik 2018 | 13:16

Dr. sc. Fitim RIFATI
Instituti i Historisë – Prishtinë

Pushtimi serb e malazez i Kosovës në tetor-nëntor të vitit 1912 dhe aneksimi i dhunshëm i saj në kuadër të Mbretërisë së Serbisë dhe Mbretërisë së Malit të Zi më 1913, si pasojë e vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, u shoqërua me qëndresën e armatosur të shqiptarëve në mbrojtje të viseve të tyre. Drenica ishte vazhdimisht aktive në përpjekjet e armatosura për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e saj me Shqipërinë. Kjo trevë shqiptare në gjirin e saj kishte një lëvizje të organizuar dhe të armatosur, e cila pavarësisht se nuk mund të realizonte praktikisht idealet e saj, nuk e la të qetë administratën e dhunshme ushtarake e policore serbe. Kjo lëvizje, për aq sa kishte fuqi njerëzore-luftarake, luante edhe rolin e mbrojtësit të popullsisë shqiptare nga shtypja serbe. Në këtë studim, sillet një dimension i ri burimesh e informacionesh, të cilat të mbështetura në dokumente kryesisht të proveniencës austro-hungareze, paraqesin risi momentesh e personalitetesh. Ky studim nuk anashkalon as burimet dokumentare e historiografike serbe, të cilat përligjin veprimet e autoriteteve serbe ndaj shqiptarëve dhe përpiqen të shpërfillin e minimizojnë karakterin dhe rëndësinë e qëndresës shqiptare. Në këtë kuadër, duke analizuar e krahasuar dokumentet, shtypin e kohës dhe literaturën historiografike, është synuar maksimalisht që kjo çështje të trajtohet objektivisht.

Përkufizimi gjeografik i Kryengritjes dhe statusi administrativ i Drenicës

Drenica shtrihet në pjesën qendrore të Kosovës, në mes të rrafshit të Kosovës dhe të Dukagjinit. Në lindje kufizohet me malin e Goleshit dhe të Çyçavicës, në veri me malin Mokna, në perëndim me Rrafshin e Dukagjinit, Kosmaçin, malet e Berishës dhe në jug me malet e Caralevës. Ka pozitë gjeografike kryesisht kodrinore dhe malore. Konfiguracioni i terrenit gjeografik në Drenicë ishte i përshtatshëm për shqiptarët, që në këto vite të fshiheshin nga ndjekjet e vazhdueshme të organeve të administratës ushtarake dhe policore serbe. Në mungesë të arsenalit luftarak dhe numrit të forcave njerëzore-kryengritëse, terreni kodrinor dhe malor i krijonte mundësi shqiptarëve për të organizuar dhe funksionuar veprimtarinë e luftës së befasishme (guerile). Veç kësaj, kryengritësit gëzonin përkrahje në pjesën më të madhe të popullsisë, veçanërisht në familjet e tyre dhe rrethin familjar lehtë gjenin strehim dhe ushqim gjatë gjithë kohës sa vepronin dhe përndiqeshin prej pushtetit serb. Një rol të rëndësishëm në mbështetje të tyre ka dhënë edhe femra e gruaja shqiptare, e cila krahas kujdesit familjar angazhohej në furnizimin e kryengritësve me ushqime e armatim dhe në disa raste merrte pjesë drejtpërdrejtë në aksione e beteja kundër armikut.
Lëvizja e qëndresës së armatosur në Kosovë, përfshi edhe Drenicën, kundër pushtimit dhe administrimit serb, ka vijuar aktivitetin e saj edhe në fillim të vitit 1913 dhe përgjatë tërë këtij viti. Menjëherë pas pushtimit serbo-malazez të Kosovës dhe viseve të tjera, organet pushtuese serbe e malazeze morën masa për të eliminuar administratën dhe institucionet e periudhës osmane dhe nxorën ligje e mekanizma të administrimit ushtarak, policor, gjyqësor e financiar, të lidhura drejtpërdrejtë me dikasterët përkatës në Beograd dhe Cetinë. Pas ligjësimit të aneksimit serbo-malazez të Kosovës nga Fuqitë e Mëdha, Ministria e Punëve të Brendshme e Mbretërisë së Serbisë, më 18 gusht 1913, në bazë të dekretligjit që ishte hartuar enkas për viset e “çliruara”, i ndau ato në 11 qarqe, të cilat drejtoheshin nga prefektët. Qarqet u ndanë në 46 rrethe që drejtoheshin nga nënprefektët. Rrethet u ndanë në njësi më të vogla administrative (komuna), të cilat drejtoheshin nga kryetarët. Viset e Kosovës përfshiheshin në Qarkun e Kumanovës, në Qarkun e Pazarit të Ri, në Qarkun e Prizrenit, në Qarkun e Prishtinës dhe në Qarkun e Shkupit. Mikroregjioni i Drenicës hynte në kuadër të Qarkut të Kosovës dhe të Pazarit të Ri. Në nëntor të vitit 1913, organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme krijuan edhe Qarkun e Zveçanit, i cili e kishte qendrën në Mitrovicë, në kuadër të të cilit hynin: Rrethi i Mitrovicës, i Vushtrrisë dhe i Drenicës me qendër në Deviç. Nga 14 marsi i vitit 1914, qendër e Rrethit të Drenicës u bë Llausha. Rrethi administrativ-territorial i Drenicës përfshinte 7 komuna, 72 fshatra, 7 lagje e 1 manastir, që përgjithësisht numëronte 23.821 banorë. Veç një pjese të vogël serbësh në Bajë, Runik, Kostërc e Llaushë, në Rrethin e Drenicës jetonte vetëm popullsia shqiptare. Në këtë kuadër, duke qenë se kjo trevë banohej kryesisht me shqiptarë, organizimi dhe veprimtaria e lëvizjes së rezistencës së armatosur ishte pjesërisht më e lehtë krahas rretheve e krahinave të tjera ku kishte popullsi etnikisht të përzier ose fshatra të banuara me minoritet serb. Elementi serb, që prej pushtimit dhe aneksimit të Kosovës mori pjesë në aksione të armatosura kundër shqiptarëve dhe bashkëpunoi me administratën serbe. Prandaj, përderisa mungonte shtrirja e këtij elementi në të gjithë Drenicën, atëherë edhe mundësia e shpartallimit të qëndresës shqiptare ishte më e vogël.

Foto: Masakrimi i shqiptarëve nga ushtria serbe

Drenica në Kryengritjen e vitit 1913 dhe terrori serb ndaj shqiptarëve

Shkaqet kryesore që nxitën shqiptarët për të organizuar qëndresë të armatosur ishin: reprezaljet shtetërore, administrative, ushtarake e civile serbo-malazeze ndaj shqiptarëve, që u manifestuan me grabitje, plaçkitje, gjoba, taksa e tatime të papërballueshme; rekuizime, sekuestrime, punë të detyrueshme dhe angari; cenim të besimit fetar dhe nderit në familje; ekspedita ushtarake ndaj shtëpive dhe vendbanimeve, shpërfillje e ankesave të shqiptarëve nga organet e administratës dhe qeverisë; mërzitje, përpëlitje, keqtrajtime, torturë, violencë, burgosje, internime, djegie me pretekst të shtëpive dhe vendbanimeve; pushkatime, vrasje e masakra; mosgjykim e mosndëshkim të krimeve etj. Pra, shqiptarët u detyruan të zgjedhnin rrugën e kryengritjes, për t’i shpëtuar shtypjes, asimilimit dhe likuidimit.
Historiografia serbe është e prirë që lëvizjen e qëndresës së armatosur në Kosovë, madje në mënyrë të veçantë edhe në Drenicë, ta shoh të lidhur me rrjedhat politike në Ballkan. Kështu, në kohën e përfundimit të Luftës së Dytë Ballkanike, në korrik dhe në gusht të vitit 1913, krerët shqiptarë të Drenicës, gjoja duke shfrytëzuar dislokimin e trupave ushtarake serbe në frontin me Bullgarinë, organizuan lëvizjen e armatosur kundër pushtimit serb. Mirëpo, reagimi i menjëhershëm i organeve ushtarake dhe policore serbe, kishte ndikuar që kjo lëvizje të shpartallohej në fillesat e saj. Rrjedhimisht, shqiptarët e armatosur u thyen, krerët kryesorë u vranë dhe në shenjë dënimi shtëpitë e gjithë pjesëmarrësve u dogjën. Deri në fillim të muajit gusht, qarqet ushtarake serbe në Drenicë, vlerësonin se në këtë krahinë paqja ishte mbizotëruesja e vetme. Në të vërtetë prijësit shqiptarë të Kosovës, por edhe popullsia civile, refuzuan të bashkëpunonin me organet serbe, por vetëm me prijësit e tyre në Shqipëri, si: Hasan Prishtina, Isa Boletini, Bajram Curri etj. Për këtë arsye, pa zbatuar procedura gjyqësore, shqiptarët u burgosën, u izoluan, u internuan dhe u vranë. Në mesin e tyre ishin edhe krerë të shquar të Lëvizjes Kombëtare nga Drenica, si: Halil Haxhia nga Vitaku, Hetem Kozhica nga Kozhica, Fejzullah Lubaveci nga Lubaveci, Temë Dobrosheci nga Dobrosheci, Rexhep Bajraktari nga Llausha, Ramadan Bajraktari nga Klina dhe tetëmbëdhjetë prijës të tjerë, të cilët organet ushtarake serbe, përkitazi me politikën shtetërore ndaj shqiptarëve, i ekzekutuan në Kaçanik.
Historiani Islam Dobra, i cili ka shkruar gjerësisht për rolin dhe kontributin e krerëve të Drenicës në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, në bazë të shënimeve të grumbulluara prej bashkëkohësve në terren, konstaton se këta prijës të shquar u likuiduan në mes të Vushtrrisë dhe Mitrovicës, pas një kohe të pushtimit serb të Kosovës, duke mos specifikuar datën, muajin dhe vitin.

Vrasja e këtyre krerëve të Drenicës bëri përshtypje të madhe në Kosovë dhe në shtypin ndërkombëtar. Ajo ishte një mesazh për prijësit e tjerë, që t’i shpëtonin aksionit të organeve serbe për likuidimin fizik të të gjithë krerëve shqiptarë. Kësisoj, Jetullah Vojniku nga Vojniku i Drenicës, së bashku me 60 bashkëveprimtarë të tij, u arratis në Shqipëri. Për pasojë, ashpërsimi i raporteve ndëretnike mes shqiptarëve dhe serbëve u rrit për një shkallë. Kështu, serbët e fshatit Llaushë u zhvendosën në Vushtrri, ndërsa 40 familje serbe nga Peja u shpërngulën në Runik. Ndërkohë, më 8 shtator 1913, nga Koshtova dhe Selaci i Mitrovicës shkuan në Drenicë 14 përkatësisht 13 shqiptarë. Kjo situatë e tensionuar ndikoi që asnjë shqiptarë nga Drenica të mos shkonte më të vizitonte tregun në Mitrovicë. Në anën tjetër, organet administrative serbe i nuhatën lëvizjet e shqiptarëve dhe paraprakisht vendosën të armatosnin elementin serb, në mënyrë që të jetë i gatshëm për një përleshje të armatosur përkrah ushtrisë serbe kundër shqiptarëve. Këto raste tregonin më së miri se në Drenicë po fillonte riorganizimi i veprimeve të armatosura kundër shtypjes, pushtimit dhe aneksimit serb e malazez të Kosovës.

Kuvendi i Llaushës dhe vendimet e tij

Në të njëjtën kohë, krerët e Lëvizjes Kombëtare, të cilët vepronin në Vlorë në kuadër të përpjekjeve për konsolidimin shtetëror të Shqipërisë, si: Hasan Prishtina, Isa Boletini, Bajram Curri, Riza Gjakova e Mehmet Derralla, vlerësuan të rëndësishëm armatimin e popullsisë së Kosovës, përfshi edhe Drenicën. Me urdhër të tyre dhe në kanale të fshehta, në Drenicë arriti sasi armatimi, e cila iu shpërnda popullsisë dhe veçanërisht burrave e djemve të gatshëm për luftë. Organizimin e Kryengritjes e ndihmoi edhe roli i Komitetit ose Shoqërisë “Shkipnia”, në gjirin e së cilës ishin tubuar prijës të shquar të Lëvizjes Kombëtare nga të gjitha viset shqiptare. Ajo krijoi dhe mbajti lidhje me të gjitha viset e Kosovës, përfshi edhe Drenicën. Në këtë kontekst, në gusht të vitit 1913, në Llaushë u mbajt një kuvend i shqiptarëve, në të cilin u mor vendim që Drenica të bashkohet me Kryengritjen dhe të japë kontributin e saj në luftën për çlirimin e viseve shqiptare nën pushtimin dhe aneksimin serb e malazez.
Nuk vonoi aspak kur veprimet e armatosura nisën në zonën e Drenicës. Më 9 shtator 1913, në afërsi të fshatit Pemishtë (Padalishtë), përkatësisht në rrugën Mitrovicë-Pejë, kryengritësit shqiptarë vranë një oficer dhe dy ushtarë malazezë, që po shoqëronin një kolonë transporti me misër. Gjoja për t’i mbrojtur nga “sulmet e befasishme dhe qëllimet plaçkitëse të shqiptarëve”, organet e administratës ushtarake serbo-malazeze në Kosovë vëzhgonin në vazhdimësi transportet e mallrave. Mirëpo, përkundër kësaj, më 11 shtator 1913, autoritetet serbe në Rrethin e Mitrovicës, shpallën edhe zyrtarisht aneksimin e Kosovës Mbretërisë së Serbisë dhe Malit të Zi. Ato organizuan një festë, në të cilën mori pjesë minoriteti serb, kurse të shtënat me rastin e kësaj feste u bënë të pandërprera dhe valëvitja e flamurit kombëtar serb u bë në mënyrë entuziaste. Përkundrazi, aneksimin serbo-malazez të Kosovës nuk e pranuan shqiptarët, që konsideronin se vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër dhe aneksimi i trumbetuar nga organet administrative serbe, ishin akte të padrejta dhe cenonin aspiratat e qenien kombëtare të popullit shqiptar dhe trojeve të tij.
Në një raport të datës 19 shtator 1913, të konsullatës austro-hungareze në Mitrovicë, përkatësisht përgjegjësit të saj Josef Umlauf, provohet se në Drenicë ekzistonte një gatishmëri e shqiptarëve që t’i përgjigjeshin thirrjeve të Isa Boletinit, për të shkuar në Shqipëri dhe për t’iu bashkuar radhëve të kryengritësve. Ministria e Punëve të Jashtme e Mbretërisë së Serbisë në Beograd ishte e shqetësuar mbi rolin dhe ndikimin që Hasan Prishtina dhe Isa Boletini kishin në Shqipëri dhe veçanërisht në organizimin e shqiptarëve, për të ndërmarrë veprime të armatosura kundër pushtimit e pushtetit serb në Kosovë. Ajo, përmes një qarkoreje i informonte të gjitha ambasadat se në tre muajt e fundit, Hasan Prishtina e Isa Boletini kishin arritur të siguronin dhe furnizonin me armatim kryengritjen e shqiptarëve në Kosovë, përfshirë edhe Drenicën. Për këtë arsye, Qeveria serbe kishte vendosur të merrte masa për përforcimin e rojeve ushtarake në kufi me Shqipërinë. Mirëpo, numri i shqiptarëve që niseshin drejt Shqipërisë rritej pothuajse çdo ditë. Burrat e aftë për luftë dhe të guximshëm, përkundër rrethanave të vështira të kohës, lan të vetme familjet e tyre, të pambrojtura dhe me ushqime të pakta.

“Dezertimi” i Ajet Çaushit

Në mesin e prijësve të Drenicës ishte edhe Ajet Çaushi. Ai, pas pushtimit serb të Kosovës, ishte shtrënguar të inkuadrohej në radhët e administratës ushtarake serbe, duke shërbyer në sektorin e xhandarmërisë në kuadër të Rrethit të Mitrovicës. Në verë të vitit 1913, kur autoritetet e administratës ushtarake kishin krijuar besim në personalitetin e tij, me rastin e festës së Bajramit Ajet Çaushi mori një leje pushimi për dhjetë ditë, pas të cilës nuk u kthye më të shërbente në sektorin e xhandarmërisë. Veprimi i Ajet Çaushit nënkuptonte se ai u njoh për së afërmi me qëllimet shtetërore serbe ndaj Kosovës, prandaj vendosi që këtë pushtet ta luftonte deri në frymën e fundit. Në raportin e J. Umlauf vihet në dukje se pas këtij veprimi, Ajet Çaushi në Duboc të Drenicës “mblodhi rreth vetes 30 shokë, u nis nga Drini, ku një patrullë e fortë e pengoi kalimin. Ai e sulmoi patrullën dhe pasi i kishte shkaktuar asaj një humbje prej 7 të vdekur e 6 të plagosur, u kthye në Drenicë”. Në dokumentet serbe personaliteti i Ajet Çaushit identifikohet me emrin Keço Ajriz Çaushi nga Kotorri i Drenicës. I biri i tij, Hasani, ishte ndër prijësit kryesor dhe protagonist në Kryengritjen e vitit 1914. Me rastin e “dezertimit” të Ajetit nga administrata e Rrethit të Mitrovicës, dokumentet serbe japin si arsyetim se ai, pasi iu lut djemve të tij, Hasanit, Sinanit dhe Nuriut, të ktheheshin nga Shqipëria në Drenicë, gjë që u refuzua prej tyre, vendosi të heq dorë nga shërbimi i mëtejshëm dhe me 30 shokë të tij të niset në drejtim të Shqipërisë.

Veprimi i Ajet Çaushit la përshtypje të thellë në Drenicë e viset përreth. Për arrestimin dhe vrasjen e tij u angazhuan madje edhe vet drejtuesit administrativë të rretheve. Kësisoj, kryetari i Rrethit të Vushtrrisë, iu bashku aksionit për kapjen e Ajet Çaushit, për të cilin siguroi informacione se ndodhej në fshatin Abri. Me urdhrin e Kryetarit u shkatërrua shtëpia ku ndodhej Ajet Çaushi. Sipas J. Umlauf “Ajet Çaushi, i lajmëruar për praninë e naçellnikut (kryetarit, F.R), e priti në rrugë dhe shtriu për tokë një xhandar. Naçellniku iku në Vuçitërn (Vushtrri, F.R)”. Megjithëkëtë, vala e largimit të shqiptarëve të aftë për luftë nga Drenica, për t’iu bashkuar qendrës së Kryengritjes dhe drejtuesve të saj në Shqipëri, nuk u ndal. Natën e 12 dhe mëngjesin e 13 shtatorit 1913, “rreth 200 shqiptarë të armatosur qenkan arratisur nga rrethi i Mitrovicës dhe nga Drenica”. Rrjedhimisht, edhe udhëtimet nga një fshat në tjetrin bëheshin të vështira dhe të pasigurta, për shkak të gjendjes kritike, të tensionuar dhe me tipare të paraluftës. Sipas shtypit serb, një strategji e furnizimit me armë, e cila u përdor para dhe gjatë Kryengritjes së shtatorit 1913, ishte aktivizimi i gruas, e cila “i mbushte bukët me fishekë” dhe ia dërgonte kryengritësve. Jo vetëm kaq, qarqet gazetareske serbe kishin informacione të hollësishme mbi pjesëmarrjen e gruas shqiptare në radhët e kryengritësve. Sipas tyre, shqiptarët “që bëjnë luftë shoqërohen prej grave të tyre, të cilat kanë me vete ushqimin për burrat”. Në këtë kontekst, qëllimi i shtetit serb ishte “dëbimi i atyre që kanë depërtuar në territorin e Kosovës dhe rivendosja e rregullit”. Ky qëndrim nënkuptonte se shteti serb nuk do të përzgjidhte forma të lehta për realizimin e qëllimit të tij, duke mos kursyer të gjitha shtresat shoqërore shqiptare, pa dallim gjinie dhe moshe. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe njohësi i proceseve politike, Ibrahim…