Drenica shënon 21-vjetorin e betejës së Likoshanit dhe Qirezit (Foto)
Me një tubim përkujtimor është shënuar 21-vjetori i betejës së Likoshanit dhe Qirezit, në të cilin kanë marrë pjesë zyrtarë të lartë të Komunës së Skenderajt e Drenas, përfaqësuesi i familjes Jashari, Rifat Jashari, përfaqësues të FSK-së, familjarë, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së dhe qytetarë të shumtë.
Gjatë këtij tubimi përkujtimor është bërë edhe zbulimi i pllakës përkujtimore për katër vëllezërit e vrarë të familjes Sejdiu.
Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, ka thënë se në mes të krenarisë dhe dhembjes që sjellin datat e rëndësishme të ngjarjeve që kanë lënë gjurmë në historinë e popullit tonë, me respekt i kujtojnë 24 dëshmorët dhe martirët e familjeve Ahmeti, Rexhepi, Behrami, Nebihu, Xheli, Sejdiu, Rama dhe Fazliu.
Ai ka thënë se këto familje janë gjetur të parat përball një hakmarrjeje të egër të forcave policore serbe, që para se të ndodhte beteja në Qirez dhe Likoshan, ato do të turpërohen dhe pësojnë dëme nga një njësit i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili i tregoi pushtuesit se ky vend ka zot shtëpie.
/Epoka e re/