Drenicë, edhe sot zgjohu për Kosovën!

18 mars 2025 | 11:12

Shkruan: Astrit Gashi

Historia na ka mësuar se padrejtësia nuk mund të luftohet me heshtje e fjalë boshe. Heshtja është dorëzim, është pranimi i një realiteti të shtrembëruar, ku e vërteta shtypet dhe shndërrohet në një narrativë politike të ndërtuar nga ata që duan të njollosin luftën tonë çlirimtare.
Sot, Kosova nuk ka më kohë për të pritur. Liria e luftëtarëve të saj nuk është më çështje drejtësie, por e një skenari hakmarrës, të shkruar nga ata që dikur e kundërshtuan pavarësinë tonë. Dhe akti më i fundit i kësaj padrejtësie është moslejimi i Hashim Thaçit dhe luftëtarëve të tjerë të UÇK-së që të marrin pjesë në ceremonitë mortore të prindërve të tyre.
Kjo nuk është vetëm çnjerëzore, është një dëshmi e qartë se Gjykata Speciale nuk është drejtësi por është një gjykatë fashiste! Në asnjë sistem të drejtësisë demokratike nuk ndalohet një bir të nderojë prindin e tij të ndjerë. Kjo është hakmarrje e pastër, është një akt mizor i një institucioni që po vepron si armik i Kosovës, jo si gjykatë e drejtësisë.
Gjykata Speciale nuk po kërkon të zbardhë të vërtetën e luftës, ajo po kërkon të shpallë fajtorë ata që e bënë këtë luftë të domosdoshme. Hashim Thaçi dhe luftëtarët e UÇK-së nuk janë në Hagë për shkak të krimeve, por sepse ishin arkitektët e lirisë! Sepse ishin ata që e çliruan këtë vend, dhe tani padrejtësia kërkon t’i bëjë shembull për të tjerët.
Por ku është sot shteti i Kosovës? Ku janë institucionet e tij? Si mund të lejohet që një bir të mos marrë pjesë në varrimin e prindit të tij? Kjo nuk është thjesht padrejtësi personale, kjo është poshtërim kombëtar!
Ligji për Gjykatën Speciale duhet të amandamentohet urgjentisht! Nuk mund të lejojmë më që një gjykatë e komanduar nga interesa të huaja të ushtrojë këtë lloj terrori mbi ish-luftëtarët tanë. Kjo gjykatë duhet të reformohet ose të hiqet njëherë e mirë!
Nëse Partia Demokratike e Kosovës do të kishte lidership të vërtetë, sot institucionet nuk do të funksiononin normalisht. Nuk mund të ketë qeverisje normale në një shtet ku çlirimtarët janë të burgosur dhe u mohohet edhe nderimi i fundit për prindërit e tyre. Nëse veteranët e vërtetë do të kishin mbetur besnikë ndaj betimit të tyre, sot rrugët e Prishtinës do të ishin të mbushura me njerëz që kërkojnë drejtësi, jo me heshtje dhe dorëzim.
Vdekja e Haxhi Thaçit nuk është vetëm një dhimbje familjare. Ajo është një pasqyrë e hidhur e realitetit të padrejtë që po jetojmë. Një baba largohet nga kjo botë pa e parë të birin e tij të lirë, jo sepse ai kishte bërë ndonjë krim, por sepse një gjykatë fashiste e sponsorizuar nga qarqet ruso-sllave kërkon të shpallë fajtor idealin për të cilin ai luftoi.
A do ta pranojmë edhe këtë padrejtësi në heshtje? A do ta lejojmë që edhe kjo dhimbje të kalojë si një lajm i zakonshëm? Apo do ta kthejmë atë në një moment zgjimi dhe veprimi?
Statuset në rrjetet sociale nuk sjellin drejtësi. Nderimi me fjalë nuk mjafton. Sot, më shumë se kurrë, Kosova ka nevojë për zëra të vërtetë, për njerëz që nuk e pranojnë më këtë nënshtrim.
Ceremonia mortore e babë Haxhiut nuk duhet të jetë vetëm një moment pikëllimi familjar. Ajo duhet të jetë një akt revolte kombëtare! Ajo duhet të shndërrohet në një protestë popullore, ku populli i Kosovës tregon se nuk pranon më të poshtërohet. Se nuk pranon më që historia të shkruhet kundër tij!
Nëse sot nuk e ngrisim zërin, nesër mund të jetë vonë. Nëse vazhdojmë të pranojmë këtë padrejtësi me duart e lidhura, atëherë do të bëhemi bashkëfajtorë të një historie që po shkruhet kundër nesh. Nëse nuk ngrihemi sot, nesër nuk do të kemi më kë të mbrojmë.
O sot, o kurrë!
Koha e pritjes ka mbaruar. Koha e fjalëve boshe ka mbaruar.
Ka mbetur vetëm një rrugë: Revolta kundër padrejtësisë!
Drenicë, edhe sot zgjohu për Kosovën, rrugë tjetër nuk kemi!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Regjisori Martin Scorsese është duke përgatitur një projekt të ri…