“Drenushë e trembur dimrash” gjendet në treg
Libri më i ri i shkrimtarit Adem Gashi, “Drenushë e trembur dimrash”, botuar nga shtëpia botuese “Armagedoni”, sapo ka dalë nga shtypi.
Në këtë libër me poezi, të ndarë në katër cikle, janë përmbledhur 99 poezi me temë sociale, filozofike, erotike, meditative etj. Sipas botuesit, Berat Armagedonit, ky libër i Gashit, edhe po qe se lexohet nga e majta në të djathtë, ka kuptim, ka domethënie, ka renditje me rend dhe me vend të llojeve të ndryshme të figurave. Megjithatë, libri ka një prolog të autorit, nëpërmjet të cilit ai kërkon ta heqë vëmendjen e lexuesit nga mjetet e teknologjisë dhe ta zhvendosë te libri fizik dhe te poezitë e tij: “Tungjatjeta, lexues/e! E shoh se je ulur përballë PC-së dhe ke hapur FB-në. Këtë herë do të lexosh poezi dhe jo të dëgjosh muzikë apo të shikosh film. Në rregull. Po leximi i poezisë nuk bëhet dosido. Ka një ritual. Përtej portaleve virtuale e rrjeteve sociale, ka edhe diçka që të vjen në trajtën fizike, në letër. E ke edhe titullin e poezisë – baladë që tingëllon si ironi, po e mjaftueshme të t’i hapë portat e trandjeve poetike. Titullin edhe mund t’ia japësh vetë. Fillo!”
Ky është libri i 22-të i Adem Gashit, kurse i 15-ti libër me poezi.
Poezi nga përmbledhja “Drenushë e trembur dimrash”
avniu dhe xhemilja*
…dhe thonë: i fortë është guri
druri, metali
dhe thonë për të mos thënë asgjë
e fortë është gruaja – Nëna
i fortë Babai – burri
motra, nusja
para forcës së tyre
liget deti, mali, fusha
vetëm qiejt lotojnë fundbotshëm
e na lagin neve
statujave memece prej tunxhi
_________________
*Miqtë e mi, Avni dhe Xhemile Dehari që
brenda një viti mbetën pa të dy djemtë
një qytet*
atje ishte një qytet i bukur dikur
mbi gjithçka me fëmijë në rrugë
të lumtur e të buzëqeshur
ishte edhe dje
qe
por s’është më
tashti gërmadhave endet
vetëm ndonjë kone e plagosur
pikturë me gjak e pluhur
tablo e denjë për hollin e OKB-së
ku shkëlqesitë e tyre
negociojnë për paqen
se
që të flitet për paqen
duhet të vriten më parë
duhet të përgjaken
buzëqeshjet e fëmijëve
dikur atje ishte një qytet
ku gumëzhinte jeta edhe në sipërfaqe
sot nuk ka qytet por paqe
_________________
*Aleppo / dhjetor 2017
kuvendim me të gjallët
Jeni interesant, për besë
Seku e merrni aq lehtësisht atë buzëqeshje
Për çdo takim
Si nga portreti i prostitutës së Migjenit
Dhe vazhdoni të mendoni se jeni të pavdekshëm
Jeni fantastikë,
Pas çdo ndarjeje hiqni maskat
Dhe mprihni thikat e urrejtjes
E emrit m’i vini pritë
Në orët e pasdites a natën vonë
Diç ndiej, diçka si jehonë
Që më vjen mes ultravalësh
Në beteja fjalësh
Si në një laborator
Më fisnikërohet shpirti i vargjeve
në varreza
isha sot në varreza
ndryshe nga një mikja ime që shëtit për qejf
unë shkoj veç kur më qet puna
(ilirët e moçëm bënin tuma)
ç’të shoh
profile metali, kryqe prej druri, pllaka mermeri
pak lule të freskëta e shumë të vyshkura
mbretëri prej dheu qirinj të djegur
isha sot në varreza
ku treten pesë, gjashtë a shtatë miq të mi
monumentet e tyre m’i ruan veç kujtesa
siç qenë
me “portretin e artistit në rini”