Drerët shfrytëzojnë koronavirusin, ‘pushtojnë’ lindjen e Londrës
Drerët po përpiqen të përfitojnë sa të munden nga zbrazja e rrugëve në Londër duke hyrë në qytet për t’u ushqyer me barin e kopshteve të vogla para banesave.
Ato kanë qenë aty edhe më parë por vendasit thonë se janë shtuar që prej ndalimit të trafikut dhe të këmbësorëve.
Punonjësi i bashkisë Dean Zetter, ishte në zonën e Harold Hill kur pa rreth 20 prej tyre të ulura në bar.
“Ato ishin ulur në bar. Rezidentët, disa me qentë e tyre i lanë të qeta, dhe qentë nuk i lehnin apo i ngacmonin. Ishte shumë bukur”.
Por ato nuk ishin kafshët e vetme që kanë dalë në rrugët e Britanisë. Në Llandudno, në veri të Uellsit një tufë prej 12 dhish të egra kishin zbritur në qytet duke shkaktuar alarm mes banorëve.
Policia vendase u përpoq t’i largonte ato drejt parkut Great Orme nga ku erdhën, por ato u rikthyen një ditë më vonë.