Dreshaj: Istogu është lodhur nga keqqeverisja e LDK-së
Kandidati për kryetar të Komunës së Istogut nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Gani Dreshaj, është shprehur i bindur se më 17 dhjetor do ta rikonfirmojë fitoren në Istog.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se pritjet për këtë fitore i bazon në mbështetjen e qytetarëve, të cilët e duan ndryshimin në këtë komunë.
“Fushata është duke shkuar mirë. Qytetarët po më japin mbështetje të jashtëzakonshme sepse janë të interesuar për ta hequr të keqen në Istog. Pres që kjo mbështetje e qytetarëve të përkthehet në votë në zgjedhjet e së dielës. Madje të dielën pres të më votojë edhe elektorati i pakënaqur i LDK-së. Qytetarët janë lodhur nga keqqeverisja e LDK-së dhe Haki Rugovës. Po ashtu, janë lodhur edhe bizneset, të cilat po i zhvat për çdo ditë. Jam i bindur se këtë herë do ta ‘shkatërroj’ Haki Rugovën”, ka deklaruar Dreshaj.
Ai u ka bërë thirrje organeve përkatëse ta ruajnë votën meqë, në raundin e parë të zgjedhjeve, sipas Dreshajt, ka pasur manipulime nga LDK-ja. Nëse nuk do të ketë dallavere, ai ka thënë se do të jetë fitues i zgjedhjeve, pa pasur nevojë t’i pres votat e diasporës.
Dreshaj ka bërë me dije se projekti i parë që do të realizohet në mandatin e tij qeverisës do të jetë pajisja e të gjitha fshatrave me ujë të pijshëm.
“Projekti i parë që do të realizohet në mandatin tim qeverisës do të jetë pajisja e të gjitha fshatrave me ujë të pijshëm. Prioritet do të jenë edhe shkollat dhe çerdhet. Çdo shkollë do ta ketë çerdhen. Këto projekte mua nuk do të më kushtojnë me miliona euro sikurse Haki Rugovës, i cili ka shpenzuar buxhetin e komunës duke u dhënë tenderë kompanive të veta dhe jo për nevojat e qytetarëve. Me të njëjtin buxhet unë do të kryej shtatë herë më shumë punë se ata”, ka theksuar Dreshaj. Ai ka premtuar se do të jetë kryetar i të gjithë qytetarëve, pa dallime partiake dhe etnike.
Gjithashtu, Dreshaj ka premtuar se në qeverisjen e tij nuk do të ketë familjarizim, nepotizëm dhe korrupsion. “Do të jem kryetar i të gjithë qytetarëve pa dallime partiake e përkatësie etnike. Unë do t’i trajtoj njëjtë të gjithë qytetarët. Në qeverisjen time do të ndalet vjedhja e buxhetit. Gjatë mandatit tim katërvjeçar do të ketë zhvillim ekonomik në Istog. Nuk do të ketë asistencë sociale, sepse do të krijojë vende punë për të gjithë ata që mund të punojnë. Kurse atyre që me të vërtetë janë në asistencë sociale, do t’ia dyfishoj apo trefishojë shumën e mjeteve që marrin. Me 75 euro në muaj askush nuk mund të jetojë. Kam premtuar se çdo varrim do të bëhet me shpenzime të komunës. Po ashtu, kam premtuar se çdo lindje në Istog do të shpërblehet”, ka deklaruar Dreshaj.
“Epoka e re”: Z. Dreshaj, si po ju ecën fushata për rivotimin e së dielës?
Dreshaj: Fushata është duke shkuar mirë. Qytetarët po më japin mbështetje të jashtëzakonshme, sepse janë të interesuar për ta hequr të keqen në Istog. Pres që kjo mbështetje e qytetarëve të përkthehet në votë në zgjedhjet e së dielës. Madje të dielën pres të më votojë edhe elektorati i pakënaqur i LDK-së. Qytetarët janë lodhur nga keqqeverisja e LDK-së dhe Haki Rugovës. Po ashtu, janë lodhur edhe bizneset, të cilat po i zhvat çdo ditë. Jam i bindur që këtë herë do ta ‘shkatërroj’ Haki Rugovën.
“Epoka e re”: Ku po i bazoni pritjet për këtë fitore?
Dreshaj: Pritjet për fitore i bazoj në mbështetjen e qytetarëve, të cilët e duan ndryshimin në Komunën e Istogut. Unë i konsideroj të barabartë të gjithë qytetarët e Istogut. Nuk ka ndasi në nacionalitete. Shqiptarët, serbët, boshnjakët dhe romët për mua janë qytetarë të barabartë. Qytetarët janë të dëshpëruar me qeverisjen në Istog sepse nuk i kanë kushtet elementare për të jetuar.
“Epoka e re”: Kjo fitore që po prisni, do të ishte e mundur pa arritjen e koalicionit me PDK-në, Vetëvendosjen, Listën e Arif Elshanit si dhe Nismën?
Dreshaj: Unë kam pas vetes shumicën e qytetarëve të Istogut. Kam përkrahje shumë nga rinia. Më 17 dhjetor do ta rikonfirmoj fitoren në Istog. Kemi arritur koalicion me të gjitha partitë, PDK-në, Vetëvendosjen, Nismën dhe Listën e Arif Elshanit. Edhe pa arritjen e këtyre koalicioneve do t’i fitoja zgjedhjet, por me koalicionet e arritura fitorja do të jetë më e fuqishme dhe vota do të jetë më e kompletuar. Ne nuk po e mundim Haki Rugovën sepse ai e ka mundur vetveten, se e ka shkatërruar Istogun për ta pasuruar familjen e vet. Qytetarët e Istogut kanë vendosur ta ndryshojnë qeverisjen sepse janë të pakënaqur.
“Epoka e re”: Megjithatë, kandidati i LDK-së, Haki Rugova, është i bindur se do të fitojë edhe në këto zgjedhje.
Dreshaj: Ai ka shprehur bindje se nuk do të shkojë as në balotazh, por qytetarët vendosën ndryshe. Në raundin e parë e kanë ndalur rrymën dhe m’i kanë vjedhur votat. 890 vota m’i ka prishur me atë lapsin e vogël, me myhyr.
“Epoka e re”: Keni frikë se edhe këtë herë mund t’ju vidhen votat?
Dreshaj: Për këtë kam kërkuar ndihmë nga Ambasada Amerikane dhe Ambasada Gjermane. U bëj thirrje organeve përkatëse ta ruajnë votën, meqë në raundin e parë të zgjedhjeve ka pasur manipulime nga LDK-ja. Për këtë arsye kam kërkuar që në ditën e zgjedhjeve të mos jetë e pranishme policia e Istogut, sepse brenda policisë së Istogut, në krye me shefin, është një grup kriminal që i manipulon zgjedhjet. Në Istog ka policë të ndershëm, por aty është edhe një grup i keq që është në gjendje të vrasë njerëz për Haki Rugovën. Thirrja ime për qytetarët është të mos vjedhin vota për Haki Rugovën, sepse rrezikojnë të shkojnë në burg. LDK-ja i ka disa vende të caktuara në të cilat ka mundësi ta korruptojë edhe komisionarin, edhe qytetarët të cilët janë duke jetuar në varfëri të skajshme. Një shtresë e qytetarëve pranon për të bërë gjithçka vetëm për t’i fituar dhjetëra apo qindra euro. Si ka mundësi që në Istog të dalin më shumë vota të pavlefshme se në Prishtinë!?
“Epoka e re”: Në balotazh, falë votave nga diaspora, ju keni dalë fitues i zgjedhjeve, por në rivotimin e së dielës janë vetëm 85 sosh.
Dreshaj: Jam i bindur se, nëse nuk do të ketë dallavere, do të dal fitues në zgjedhjet e së dielës në Istog. Pra, pa pasur nevojë t’i presim votat e diasporës. Fatmirësisht, një pjesë e diasporës ka ardhur të votojë këtu sepse nuk është e regjistruar në diasporë.
“Epoka e re”: Çfarë do të përfitojnë qytetarët e Istogut nëse zgjedheni kryetar?
Dreshaj: Do të jem kryetar i të gjithë qytetarëve pa dallime partiake e përkatësie etnike. Do t’i trajtoj njëjtë të gjithë qytetarët. Në qeverisjen time do të ndalet vjedhja e buxhetit. Do të krijoj kushte më të mira për studentët. Do t’ua siguroj mujoren prej 10 eurosh, me të cilën mund të shkojnë katër herë në Prishtinë brenda muajit. Gjithashtu, privatisht do të ndërtoj një konvikt me 300 dhoma. Për këtë rast jam duke folur me ministrin dhe kryeministrin për të siguruar vendin ku do ta ndërtoj konviktin. Gjatë mandatit tim katërvjeçar do të ketë zhvillim ekonomik në Istog. Nuk do të ketë asistencë sociale, sepse do të krijoj vende punë për të gjithë ata që mund të punojnë. Kurse atyre që janë në asistencë sociale do t’ua dyfishoj apo trefishoj shumën e mjeteve që marrin. Me 75 euro në muaj askush nuk mund të jetojë. Kam premtuar se çdo varrim do të bëhet me shpenzime të komunës. Po ashtu, kam premtuar se çdo lindje në Istog do të shpërblehet.
“Epoka e re”: Cili do të jetë projekti juaj i parë që do ta realizoni nëse zgjedheni kryetar i Istogut?
Dreshaj: Projekti i parë që do të realizohet në mandatin tim qeverisës do të jetë furnizimi i të gjitha fshatrave me ujë të pijshëm. Prioritet do të jenë edhe shkollat dhe çerdhet. Çdo shkollë do ta ketë çerdhen. Këto projekte mua nuk do të më kushtojnë me miliona euro sikurse Haki Rugovës, i cili e ka shpenzuar buxhetin e komunës duke u dhënë tenderë kompanive të veta dhe jo për nevojat e qytetarëve. Me të njëjtin buxhet unë do të kryej shtatë herë më shumë punë se ai.
“Epoka e re”: Do ta mbani premtimin që njerëzve tuaj nuk do t’u jepni tender?
Dreshaj: Rrethi im është i rehatuar. Të gjithë janë të sistemuar në kompani të mira. Nuk do të ketë familjarizim dhe nepotizëm aty ku udhëheq unë. Pjesë e komunës do të jenë profesionistët, pavarësisht se cilës parti i përkasin. Hajnat nuk do të kenë punë në Komunën e Istogut.
“Epoka e re”: Ju keni lidhur koalicione parazgjedhore. Si do ta ndani pushtetin me këto parti, në rast se të dielën do të dilni fitues?
Dreshaj: Nuk do ta kemi problem. Posti i nënkryetarit do t’i takojë AAK-së sepse unë nuk do të rri gjithë ditën në zyrë. Nuk do ta marr pagën e kryetarit, nuk do të shfrytëzoj veturë zyrtare dhe derivate. Po ashtu, drekat e darkat nuk do t’i paguaj prej buxhetit të komunës, por prej buxhetit tim. Sipas marrëveshjes me Vetëvendosjen, nënkryetar i komunës do të jetë Naim Imeri, i cili është i përgatitur për punë. Puna e parë që do të bëj është auditimi i komunës, sepse kryetari në largim ka lënë shumë borxhe.
Shqipe HETEMI