Dreshaj: LDK-ja po bën propagandë të rrejshme për mua
Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për kryetar të Istogut, Gani Dreshaj, ka thënë se LDK-ja është duke bërë propagandë të rrejshme kundër tij.
Ai ka thënë se edhe si kryetar i Istogut do të jetë pranë familjeve të varfra. “Propaganda e rrejshme e LDK-së vazhdon të bëjë xhiro në Istog. Haki Rugova me propaganduesit e tij po jep lajmin e rrejshëm kinse Gani Dreshaj do t’i largojë të varfëritë dhe minoritetet nga skema sociale. Për këtë propagandë të turpshme, Haki Rugova e ka angazhuar edhe Qendrën për Punë Sociale, punëtorët e komunës dhe militantët e tij. Por, qytetarë të dashur të Istogut, unë jo vetëm që nuk do të largojë askënd nga skema sociale, por do të rrisë numrin e familjeve në nevojë që për fat të keq ka shumë në Istog. Unë do të ndërtojë një kompleks banesor, në të cilin do të ketë më shumë banesa për familjet që në Istog ende s’kanë kulm mbi kokë, ose jetojnë në kushte të mjerueshme. Edhe para se të isha në politik kam tentuar gjithmonë të jem krah për familjet e varfra dhe i tillë do të jem edhe si kryetar i Istogut”, ka shkruar Dreshaj në llogarinë e vet në “Facebook”.