Dreshaj: Mësimdhënësit dolën në rrugë prej zorit, Ligji i Pagave është zgjidhja e vetme
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, pas grevës së sotme të sindikalistëve ka akuzuar qeverisë duke thënë se ajo s’po ofron zgjidhje, por veç kriza.
Dreshaj në konferencë për media tha se zgjidhja e vetme e përmirësimit të mirëqenies sociale është implementimi i Ligjit të Pagave.
“Qeveria e Kosovës, tash e një vit vazhdon të prodhojë kriza. Kriza politike, ekonomike e mbi të gjitha po vazhdon të krijojë krizë të mirëqenies në vend, duke varfëruar qytetarët çdo ditë e më shumë”, është shprehur Dreshaj.
Tutje, Dreshaj tha se mësimdhënësit në Kosovë po shtypen e diskriminohen, teksa shtoi se ata në rrugë po dalin nga zori.
“Mësimdhënësit, që ishin dikur shtyllë e rezistencës kundër armikut, tani në liri po shtypet e po diskriminohen nga kjo qeveri. Qeveritaret duhet ta kenë të qartë se dalja në rrugë e mësimdhënësve nuk bëhet nga qejfi por nga zori. Ata gjenden në një situatë tejet të pafavorshme sociale-ekonomike, dhe në këtë situatë janë nga pazotësia e Qeverisë për t’i ofruar zgjidhje”.
“I kujtojmë Qeverisë se arsimi dhe shëndetësia ishin dy shtyllat themelore që ruajtën substancën shqiptare në vend gjatë viteve të ’90 ta dhe mbajtën gjallë shpresën për një të nesërme më të mirë” , tha ai.
Kujtojmë se sot në kryeqytet Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka mbajtur protestë duke kërkuar miratimin e Ligjit të Pagave dhe njohjen e punës së mësimdhënësve gjatë viteve të 90-ta.