Dreshaj thotë se shëndetësia është në gjendje të mjerueshme
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Shemsedin Dreshaj ka mbajtur konferencë për medie, ku folur për gjendjen në shëndetësi.
Duke e quajtur eksperimentale qeverinë Kurti, Dreshaj ka numëruar dështimet në shëndetësi, duke filluar nga ikja e personelit shëndetësor nga vendi dhe deri tek dështimet në reformën e sistemit shëndetësor.
“Qeveri e eksperimenteve dhe e riciklimeve të personave pa ndonjë performancë, në secilin dikaster menaxherial. Po ndalem pak tek shëndetësia. Ikja e personalit shëndetësor nga Kosova (640 infermierë vitin e kaluar, 104 mjekë për 3 muaj, kushtet e punës, paga, shkollimi specialistik). Ligji i pagave si mos më keq në Kushtetuese. Mungesa e Ligjit për shëndetësi. Asnjë veprim për sigurimet shëndetësore dhe mungesa e barnave esenciale, Lista e pritjeve në rritje dhe trajtimi jashtë vendit me borxhe milionëshe. Edukimi specialistik dhe subspecialistik pa partner strategjik. Mungesa e trajnimeve të vazhdueshme si pjesë e punës për çka krijohen shpenzime duke i kryer jashtë Kosovës. Asnjë veprim për Sistemin Informativ Shëndetësor (SISh). Dështim në reformën e sistemit shëndetësor. Menaxhmenti me ushtrues detyre, sekretari i MSh, ushtrues detyre i kryetarit të bordit të ShSKUK-së”, ka thënë Dreshaj.
Më tutje, Dreshaj ka treguar edhe objektivat e AAK-së për të dalë nga kjo situatë. Ai ka thënë se duhet të merren masat parandaluese që personeli shëndetësor të mos largohet nga vendi. Po ashtu, ai ka përmendur decentralizimin e ShSKUK-së, sigurimet shëndetësore, trajnimet e mjekëve dhe personelit mbështetës, etj.