Dreshaj: Vetëm me Haradinajn kryeministër realizohet koncepti 100 për qind shtet
Kandidati për deputet i koalicionit AAK-PSD, Gani Dreshaj, ka treguar arsyen pse ka vendosur që edhe në zgjedhjet e 6 tetorit të jetë në listën për deputet.
Ai në një bisedë për gazetën “Epoka e re”, ka theksuar se në listën për deputet ka hyrë për interes të vendit dhe jo për të përfituar diçka për vete, pasi sipas tij, ai nuk ka nevojë për një pagë të deputetit.
“Kam hyrë në listë për interes të vendit dhe jo për interesin personal. Qëllimi im është që nga ulësja e deputetit të shtyjë përpara ndonjë projekt për qytetarët e komunës time, Istogut dhe qytetarëve në komunat tjera. Pra, garimi im si deputet nuk ka qëllim që të jem aty për të siguruar një pagë, apo as një të ardhur financiare, por që i jam përgjigjur pozitivisht besimit të Këshillit të Përgjithshëm të AAK-së për të cilin jam mirënjohës dhe do të bëjë gjithçka që ta arsyetojë këtë besim”, ka thënë Dreshaj.
Ai ka treguar se në listën e koalicionit AAK-PSD mban numrin 40.
Dreshaj ka thënë se si deputet, sikurse në mandatin e kaluar do të angazhohet që të punojë pa hile, me nder dhe dinjitet.
Ai ka thënë se projekti i AAK-së dhe partnerit të tyre PSD-së 100 për qind shtet siguron stabilitet për të ardhmen e qytetarëve dhe vet shtetit të Kosovës.
Ish-deputeti Dreshaj ka thënë se në këto zgjedhje AAK-ja ka hyrë shumë e përgatitur, për faktin se ka një arsye për t’u dalë përball qytetarëve.
Ai thotë se Haradinaj ishte kryeministri i vetëm që mundi t’i shtyjë përpara vendimet e mëdha. “Kosova i ka njerëzit e shtëpisë që janë dëshmuar në mbrojtje të pragut të saj, në këtë rast z. Haradinaj si kryeministër mori vendim për ta krijuar ushtrinë, doli në mbrojtje të Trepçës, vendosi taksën me Serbinë, i tha jo ndarjes së Kosovës dhe në këtë pikë qëndroj i vetëm. Gjithashtu bëri Ligjin për Prishtinën. Të gjitha këto e shumë të tjera u bënë në Qeverinë Haradinaj. Vetëm me Ramush Haradinaj kryeministër mund të realizohet koncepti 100 për qind shtet”, ka thënë Dreshaj.
Ai thotë se sipas sondazheve të fundit, koalicioni AAK-PSD po konkurron për vendin e parë. “Si koalicion jemi në garën për vendin e parë. Më 6 tetor do të konfirmohet fitorja e koalicionit AAK-PSD me kryeministër Haradinaj”, ka deklaruar Dreshaj.
Ai ka shtuar koalicionit AAK-PSD ka listën më të mirë për deputetë. “Ky koalicion ka emra profesionistësh për deputetë, nga lëmi të ndryshme. Lista jonë është më e mira”, ka pohuar Dreshaj.
I pyetur rreth koalicioneve të mundshme pas zgjedhjeve nëse koalicioni AAK-PSD del fitues, Dreshaj ka thënë se AAK-ja është parti e hapur për krijimin e qeverisë së re, por sipas tij, pas 6 tetorit si parti fituese do të shohin më saktësisht se më kë do të bëjnë koalicion për krijimin e qeverisë së re.
“Pas 6 tetorit ne jemi të parët, dhe jemi të hapur për krijimin e qeverisë së re. Normalisht shikohen edhe programet dhe relacionet se me cilat parti AAK-ja ka bashkëpunim më të mirë, sepse vendin e presin procese të rëndësishme”, ka thënë Dreshaj.
/Epoka e re/