Drilon Hazrollaj, ‘Ylli i javës’ në Superligë
Federata e Futbollit e Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi Mall edhe këtë edicion vazhdojnë me ndarjen e çmimit “Ylli i javës”. Ky çmim për xhiron e 2-të të Albi Mall Superligës i ka takuar sulmuesit anësor të KF Malisheva, Drilon Hazrollaj.
Komisioni i veteranëve të futbollit në përbërje: Berat Berisha, Isuf Llumnica dhe Rifat Nasufi, vendosi që epiteti i më të mirit për këtë xhiro t’i takojë sulmuesit anësor të skuadrës malishevase, pasi në ndeshjen kundër Fushë Kosovës ai pati një paraqitje briliante, duke shënuar 3 gola dhe duke asistuar në një tjetër gol.
Tregolshi i Hazrollajt është i pari në këtë kampionat, ndërsa me këtë fitore FC Malisheva arkëtojë 3 pikë të reja duke qenë, pas dy xhirove, lidere në Albi Mall Superligë edicioni 2023/24.
Çmimin “Ylli i javës” për futbollistin e KF Malisheva, Drilon Hazrollaj e ndau Artina Haliti, krijuese e kontentit në Albi Mall.
Pasi mori këtë çmim, Hazrollaj u shpreh i lumtur që skuadra e tij e nisi mbarë edicionin e ri në elitën e futbollit në Kosovë.
“Çmimi ‘Ylli i javës’ është i pari për mua dhe sinqerisht jam shumë i lumtur. Kur shpërblehesh si më i miri i xhiros shtohet edhe motivi i punës. Falënderoj bashkëlojtarët dhe shtabin teknik të cilët më ndihmuan që unë të kem një performancë të tillë dhe të fitoj këtë çmim. E kemi filluar kampionatin mbarë dhe uroj që të vazhdojmë këtë ecuri pozitive edhe në xhirot e ardhshme”, ka thënë Drilon Hazrollaj për faqen zyrtare të FFK-së.