Drita arrin sukses historik në Ligën e Evropës

31 dhjetor 2020 | 19:25

Kampionia e Kosovës në futboll, Drita, në gjysmëfinalen e fazës parakualifikuese të Ligës së Kampionëve e ka mposhtur ekipin nga Andorra, Inter Club D’escaldes (2-1) dhe është kualifikuar në finale.

Golat e fitores për Dritën i shënuan Xhevdet Shabani dhe Hamdi Namani. Në finale Drita duhej të përballej me kampionin e Irlandës së Veriut, Linfield, por ndeshja u anulua dhe UEFA mori vendim që ndeshja të regjistrohet me rezultat 0-3 për skuadrën e Linfieldit. Gjilanasit garat i vazhduan në Ligën e Evropës, duke e shënuar një sukses historik për futbollin e Kosovës. Drita bëhet skuadra e parë vendore që do të marrë pjesë në rrethin e tretë të Ligës së Evropës.

Drita në Shkup ka triumfuar kundër ekipit nga Maqedonia e Veriut, Sileksit (0-2). Golat u shënuan nga Fidan Gërbeshi dhe Ardian Limani.

Në raundin e tretë Drita pësoi humbje në Varshavë të Polonisë nga Legia (2-0). Pavarësisht prej humbjes dhe eliminimit, Drita pati paraqitje dinjitoze ndaj skuadrës polake. Pjesëmarrëse në Ligën e Evropës si nënkampione e Kosovës ishte edhe Gjilani. Kjo skuadër u eliminua pas humbjes që pësoi në stadiumin “Fadil Vokrri”, pas vazhdimeve nga skuadra e njohur qipriote, APOEL Nicosia (0-2).

Në këtë garë pjesëmarrëse ishte edhe Prishtina si fituese e Kupës së Kosovës, por kryeqytetasit janë eliminuar me rezultat zyrtar 0-3 në favor të Lincolnit. UEFA e mori një vendim të tillë pasi Prishtinës i rezultuan tetë lojtarë me Covid.

(Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri Edi Rama ka uruar të gjithë shqiptarët për Vitin…