Drita dhe Feronikeli ’74 fitojnë, Gjilani dhe Dukagjini ndajnë pikët
Kanë përfunduar tri ndeshjet e zhvilluara sot në kuadër të javës së tetë në Superligën e Kosovës në futboll.
Feronikeli ’74 regjistroi fitore të pastër ndaj Fushë Kosovës. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Rexhep Rexhepi” përfundoi me rezultatin 3:0, shkruan Gazeta Express.
Ibrahmi Cervadiku (45′), Jakup Berisha (65′ nga penalltia) dhe Florent Avdyli shënuan golat e fitores për skuadrën nga Drenasi.
Feronikeli ’74 pas kësaj fitore ka 10 pikë dhe renditet i gjashti në tabelë. Fushë Kosova mbetet e fundit me vetëm dy pikë.
Fitore regjistroi sot edhe Drita, në udhëtim ndaj Malishevës. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin e qytetit në Suharekë përfundoi me rezultatin 1:3.
Dren Kryeziu (40′ autogol), Besnik Krasniqi (45+3′) dhe Muharrem Jashari (90+10′) realizuan golat e fitores për gjilanasit.
Golin e vetëm për malishevasit e shënoi Elom Nyavedji (58′).
Drita pas kësaj fitore ka 18 pikë dhe tani është e dyta në tabelë. Malisheva mbetet e katërta me 12 pikë.
Ndeshja që nuk prodhoi sot fitues ishte ajo mes Gjilanit dhe Dukagjinit, e cila u mbyll 1:1.
Bujar Shabani (30′) shënoi fillimisht për klinasit, kurse Kushtrim Shabani (60′) barazoi shifrat për gjilanasit.
Dukagjini tani ka nëntë pikë dhe është i shtati në tabelë, kurse Gjilani është një pozitë më poshtë dhe me një pikë më pak.