Drita dhe Gjilani duan fitore në derbi

27 mars 2025 | 11:26

Dy skuadrat me traditë të madhe në futbollin e Kosovës, Drita dhe Gjilani, do të përballen sot (e enjte) në derbin me rivalitet më të madh në vend. Java e 26 e elitës së futbollit të Kosovës fillon me derbin e skuadrave gjilanase, të cilat duhan të shënojnë fitore në këtë përballje të jashtëzakonshme.

Futbollisti i Dritës, Rron Broja, ka thënë se janë të gatshëm për t’i mposhtur rivalët lokalë dhe për t’iu afruar edhe më shumë titullit të kampiones në Superligë. “Do të jetë një ndeshje derbi. Për dy javë jemi munduar ta përgatitemi siç është më se miri. Do të jetë një ndeshje e luftuar nga të dyja skuadrat, por jemi të gatshëm për çdo sfidë dhe me mund dhe angazhim do t’i marrim tri pikë që do të na gëzojnë neve dhe tifozët. Nuk jemi të relaksuar, por do të mundohemi ta mbyllim sa më shpejt kampionatin duke e siguruar titullin”, ka thënë Broja.

Drita është e para në renditjen tabelore me 54 pikë të grumbulluara, derisa Gjilani zë vendin e katërt me 35 pikë. Për ndeshjen që zhvillohet sot në Gjilan foli edhe futbollisti i dëshmuar në futbollin e Kosovës, Armend Thaqi. Ky i fundit pret që Gjilani t’u rikthehet rezultateve pozitive, pasi në dy ndeshjet e fundit nuk ka arritur fitore. “Është një derbi me rivalitet të madh. Edhe ne si futbollistë jemi të nderuar që jemi pjesë e një derbi kaq të madh por, përveç kënaqësisë, është edhe përgjegjësi e madhe. Pas dy javësh pushim vijmë dhe pas dy rezultateve jo të mira, tash jemi përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje për t’iu rikthyer ecurisë pozitive”, ka thënë Thaqi.

Dy ndeshje të tjera do të zhvillohen të premten. Do të takohen Suhareka dhe Malisheva. Në mbrëmje Prishtina e pret Feronikelin ’74. Të shtunën mbyllet kjo xhiro me dy ndeshje, ku spikat derbi në mes të Llapit dhe Ballkanit, që zhvillohet në stadiumin “Zahir Pajaziti”, ndërsa në ndeshjen tjetër takohen Ferizaj dhe Dukagjini.

SUPERLIGA – Java 26

Të enjten takohen:
14:00 Drita – Gjilani

Të premten takohen:
14:00 Suhareka – Malisheva
20:00 Prishtina – Feronikeli ’74

Të shtunën takohen:
14:00 Llapi – Ballkani
14:00 Ferizaj – Dukagjini

/Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot, Petrol Company ka realizuar një iniciativë të veçantë duke…