Drita dhe Llapi kërkojnë fitore në derbi

23 nëntor 2019 | 10:59

Drita dhe Llapi kanë synim të shënojnë fitore në derbin që zhvillohet sot ( e shtunë) nga ora 13:00 në Gjilan.

Skuadra e Dritës është përgatitur që të arrijë fitore në ndeshjen derbi kundër Llapit, e cila zhvillohet sot (e shtunë) në Gjilan. Drita me tri pikë të reja do ta barazonte Gjilanin që pozicionohet në vendin e dytë. Mbrojtësi Fidan

Gërbeshi ka thënë për gazetë se Drita synon fitore në secilën ndeshje. “Synimet tona nuk ndryshojnë në asnjë ndeshje, përfshirë edhe ndaj skuadrës së Llapit. Presim fitore në mënyrë që ta vazhdojmë garën për pozitën e parë në tabelë.

Kundërshtari është mjaft i fortë dhe ka individë cilësorë, por jemi të bindur në sukses. Mungesa e vetme është e Xhevdet Shabanit, por kemi lojtarë të mirë dhe besojmë se nuk do të vërehet mungesa e tij”, ka thënë Gërbeshi.

Gazeta e ka kontaktuar edhe trajnerin e Llapit, Tahir Batatina, i cili ka shprehur optimizëm se skuadra e tij do ta nxjerrë më të mirën nga ndeshja në Gjilan. “Përballë e kemi një skuadër të mirë, Dritën, por Llapi pretendon të marrë rezultat pozitiv në këtë ndeshje. Kemi humbur nga Prishtina në ndeshjen e fundit, por kohën e gjatë që kemi pasur në dispozicion e kemi shfrytëzuar për t’i eliminuar disa gabime dhe në Gjilan shkojmë për fitore”, ka thënë Batatina, i cili ka konfirmuar dy mungesa shumë të rëndësishme për këtë ndeshje. “Në këtë ndeshje kemi mungesën e Mentor Zhdrellës dhe Behar Maliqit, të cilat janë mungesa të mëdha për klubin tonë, por besojmë se do të dalim me rezultat pozitiv nga kjo ndeshje derbi”, ka deklaruar Batatina.

Drita është aktualisht në pozitën e tretë me 28 pikë, kurse Llapi pozicionohet në vendin e pestë me 24 pikë të grumbulluara.

 

/Veton ZYMBERI/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Malit të Zi ka aprovuar sot projekt-Ligjin për…