Drita dhe Llapi kërkojnë trofeun e Kupës

26 maj 2022 | 11:12

Dy prej klubeve më të mira në edicionin 2021/22 në futbollin e Kosovës, Drita dhe Llapi, kërkojnë sonte trofeun e Kupës së Kosovës në futboll. Ndeshja finale zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” me fillim nga ora 20:00.

Finalja e Kupës së Kosovës në futboll zhvillohet sonte (e enjte) në mes të Dritës dhe Llapit. Edicionin e rregullt këto skuadra e mbyllën në pozitën e dytë, përkatësisht të katërt, duke e siguruar pjesëmarrjen në garat ndërkombëtare. Në konferencën e organizuar nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) një ditë para ndeshjes, përfaqësuesit e të dyja klubeve kanë shprehur optimizëm se do të arrijnë të triumfojnë në finalen e Kupës.

Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, ka deklaruar se skuadra e tij është e gatshme për finalen e së enjtes dhe ka premtuar angazhim maksimal të djelmoshave të drejtuar prej tij. “I kemi marrë të gjitha masat. Kam besim te skuadra. Gjithçka që kemi përgatitur do ta nxjerrim në fushë. Kemi përballë një skuadër të shkëlqyer, por do të mundohemi t’i shfrytëzojmë pikat e dobëta të saj. Skuadra është e plotë, e gatshme për të dalë në fushë. Duam ta shkruajmë historinë për ‘Intelektualët’, për stafin, për të gjithë”, ka thënë Nuhiu.

Krahas tij, në konferencën për medie i pranishëm ishte edhe kapiteni Ardian Limani, i cili është optimist për këtë ndeshje. “Kjo është finalja e parë për mua dhe pa dyshim se, nëse fitojmë, do të jetë trofe i veçantë. E di që edhe tifozët e presin me padurim këtë trofe pasi mungon tash e shumë vite në klub dhe do të bëjmë të pamundurën për ta fituar”, ka thënë Limani.

Në anën tjetër, Tahir Batatina, ka thënë se Llapi është me meritë në finale të Kupës, pasi ka mposhtur skuadra cilësore. Ai shpreh optimizëm se do ta mbyllë sezonin me trofe.

“Lojtarët janë në formën e duhur. E kanë bartur barrën kryesore gjatë tërë edicionit. Jemi të bashkuar dhe kemi harmoni brenda grupit më shumë se çdo skuadër tjetër. Kemi ardhur deri këtu duke eliminuar skuadra të mëdha dhe kjo na jep motiv shtesë për sukses”, ka thënë Batatina, i cili ka thënë se objektiv i Llapit ka qenë që të arrihet Evropa dhe tani që është arritur ky objektiv, synon mos ta mbyllë edicionin pa trofe. Optimist për të triumfuar në finale është edhe portieri i Llapit, Ilir Avdyli. “Finalet janë ndeshje mjaft të vështira si për portier si për çdo lojtar. Puna e portierit është pak më e ndjeshme. Duhet ta menaxhojmë lojën si duhet. Presioni është në anën e Dritës sepse nuk e ka këtë trofe që dy dekada, ndërsa ne e kemi në sirtar”, ka thënë Avdyli.

/Veton ZYMBERI/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë sot në seancën…