Drita kaloi në epërsi qysh në minutën e 5-të, me golin e Blend Baftiut. Megjithatë, Drenica barazoi shifrat në minutën e 43-të nga penalltia, e akorduar nëpërmjet VAR-it.

I saktë nga penalltia ishte Bintsouka Koxy. Këmbëngulja e futbollistëve të Dritës për të gjetur golin e fitores dha rezultat në minutën e 87-të, kur Ardit Tahiri shënoi me gjuajtje me kokë pas harkimit të Besnik Krasniqit.

Ndërkohë, Llapi ka barazuar në shtëpi me rezultat 1:1 në duel me Malishevën. Llapjanët kaluan të parët në epërsi me supergolin e Benjamit Eminit me gjuajtje nga distanca, në minutën e 33-të, teksa rezultatin e barazoi në minutat shtesë të pjesës së parë Fiton Hajdari. E fitoren e parë në këtë edicion e ka realizuar Dukagjini dhe atë me rezultat bindës, 4:1 në përballje me Ferizajn.

Të parët në epërsi kaluan mysafirët me golin e Enis Sefës (8’), por Dukagjini e përmbysi rezultatin qysh në pjesën e parë me golat e Altin Merlakut (23’) dhe Dior Zabërgjës (45’+3’), derisa që fitorja të jetë edhe më bindëse u përkujdesën Dior Zabërgja (51’) dhe Otto John (70’) nga penalltia.