Drita e pret Ballkanin në duelin e drejtpërdrejt për kreun e Superligës
Kampionia në fuqi Drita do ta marrë kreun e Superligës për herë të parë këtë sezon në përpjekje për ta mbrojtur titullin, nëse e mund Ballkanin sot në Gjilan.
Drita dhe Ballkani do të luftojnë për pozitën e parë në Superligë, në një duel të drejtpërdrejt sot në Stadiumin e Qytetit në Gjilan, raporton GE.
Ballkani është lider i ligës me 35 pikë pas 14 ndeshjeve, dy më shumë se Drita që e ndjek nga pas, në atë që duket të jenë një garë për titull vetëm mes këtyre dy klubeve qysh në fillim të sezonit. Skuadra e Ismet Munishit e kishte fituar 2:0 duelin e parë këtë sezon në Suharekë dhe një barazim sot do të bënte që ta ruajë epërsinë prej dy pikëve. Për bardheklatrit e Ardian Nuhiut duhen tri pikë për ta arritur kreun.
Të dy skuadrat janë të pamposhtur në pesë ndeshjet e fundit në ligë dhe janë të vetmet që e kanë pësuar vetëm nga një humbje në 14 ndeshje deri tani. Derisa Ballkani i ka fituar katër prej pesë ndeshjeve të fundit, Drita është ndalur dy herë me barazim dhe i ka fituar tri ndeshjet e tjera. Në ndeshjet tjetër të javës së 16-të që zhvillohet sot, Llapi e pret Besën në Podujevë, në një ndeshje të skuadrave të fundit në renditje.