Drita e synon përmbysjen e madhe sonte në Evropë
Drita do ta synojë sonte përmbysjen e madhe në Ligën e Konferencës.
Skuadra kosovare do të futet në fushën e blertë me një deficit prej dy golash nga ndeshja e parë e “Play-Offit” të kësaj gare.
Gjilanasit u mposhtën javën e kaluar nga Legia Varshava me rezultat 0:2, një rezultat ky mjaft i papërshtatshëm.
Sidoqoftë, të prirë nga tifozët e tyre “Intelektualët”, Bardhekaltrit do ta kërkojnë mrekullinë dhe kualifikimin historik në Conference League.
Drita është skuadra e vetme kosovare e mbetur në garat evropiane, derisa më herët janë eliminuar Ballkani, Llapi e Malisheva.
Nëse e kalon edhe këtë fazë, Drita do ta arrinte suksesin historik që e kishte regjistruar Ballkani në dy sezonet paraprake.
Sonte në mbështetje të ekipit gjilanas pritet të jenë prezentë një numër i konsiderueshëm shikuesish në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Ndeshja mes Dritës dhe Legias do të luhet sonte duke filluar nga ora 20:00.