Drita fiton ndaj Prishtinës, Malisheva merr tri pikë të mëdha në Ferizaj

22 prill 2023 | 19:31

Në një ndeshje të vështirë në Gjilan, skuadra e Dritës arriti të sigurojë një fitore të rëndësishme me shifrat 1:0 ndaj Prishtinës, në xhiron e 30-të të AlbiMall Superligës së Kosovës në futboll.

Golin e vetëm në ndeshje e shënoi Kastriot Selmani, në minutën e 42-të. Me këtë fitore skuadra e Dritës u rikthye në pozitën e parë në renditje, me 60 pikë, dy më shumë se Ballkani, skuadër që luan nesër.

Për Dritën, kjo ishte një fitore e rëndësishme pasi në dy ndeshjet paraprake kishte barazuar. Ndërkohë, Prishtina mbetet në vendin e katërt me 41 pikë dhe ende me gjasa për pozitën e tretë e cila dërgon në garat evropiane.

Një ndeshje tejet dramatike u zhvillua në Ferizaj, ku Malisheva arriti të shënojë fitore të madhe, me rezultat 2:1. Ndeshja ishte shumë interesante dhe mblodhi një numër të madh të tifozëve. Ferizaj u përball me një situatë shumë të vështirë qysh në minutën e 12-të, kur portieri u përjashtua me karton të kuq pas një ndërhyrje jashtë zonës. Malisheva e shfrytëzoi shumë shpejtë epërsinë numerike në fushë, duke kaluar në epërsi në minutën e 17-të me golin e Robert Sobowales.

Malisheva fitoi më pas edhe një penallti, por ajo u shfuqizua pas rishikimit të situatës në VAR për pozitë jashtë loje. Ferizaj nuk u dorëzua dhe në minutën e 71-të pas shumë përpjekjeve arriti të barazojë shifrat me golin e Betim Haxhimusës. As pas barazimit ferizajasit nuk u ndalën dhe u vërsulën në kërkim të golit të fitores, gjë e cila u kushtoi me pësim të golit, pasi Malisheva kishte epërsi numerike dhe në minutën e 83-të, Sobowale shënoi sërish, duke vulosur fitoren për skuadrën e tij.

Kjo fitore e rëndësishme ia mundëson Malishevës të ngjitet në vendin e shtatë, me 33 pikë, ndërsa Ferizaj bie në vendin e parafundit me 31 pikë.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mësuesja A.D tha se është kundër testimit me shkrim për…