Drita huazon mbrojtësin e Prishtinës, Përparim Osmanin
Prishtina dhe mbrojtësi i krahut të djathtë, Përparim Osmani, kanë ndarë rrugët, por vetëm përkohësisht. Mbrojtësi 30 vjeç ka kontratë me Prishtinën deri në qershor, por angazhimi i vogël me ekipin e parë ka bërë që futbollisti të kërkojë të lirohet.
Klubi bardhekaltër ia ka plotësuar dëshirën dhe Osmani në pjesën pranverore do të luajë te kampioni aktual i Kosovës, Drita.
“Nuk ka qenë e lehtë, aspak e lehtë, që të largohem nga një klub shumë mirë i organizuar me një kolektiv shembullor. Mirëpo futbolli i ka këto gjëra dhe besoj se nuk ka asnjë të keqe, sepse të dyja palët kemi qenë shumë korrekte. Te Prishtina kam kaluar çaste jashtëzakonisht të mira dhe jam krenar që kam qenë pjesë e Prishtinës, sidomos në paraqitjet dy vjet rresht në Evropa Ligë. E falënderoj udhëheqjen e klubit, stafin e trajnerëve dhe të gjithë bashkëlojtarët për çastet e mira të kaluara për një vit e gjysmë duke iu dëshiruar sukses dhe më në fund ta rikthejnë sërish titullin e kampionit në kryeqendër”, ka thënë Përparim Osmani për faqen zyrtare të Prishtinës.