Drita kërkon fitoren e titullit kundër Gjilanit
Skuadra e Dritës kundër Gjilanit synon fitoren që e dërgon edhe më afër titullit të kampiones.
Derbi më i madh në futbollin e Kosovës në mes të Gjilanit dhe Dritës zhvillohet sot (e mërkurë) nga ora 16:00. Drita që luan në këtë ndeshje në cilësinë e skuadrës mysafire kundër rivalëve lokalë, kërkon fitore në mënyrë që t’i ofrohet edhe më shumë titullit të kampiones në Vala Superligën e Kosovës në futboll.
Bujar Shabani ka thënë të martën për “Epokën e re” se skuadra e tij është e gatshme ta fitojë ndeshjen kundër rivalëve të Gjilanit, kurse mungesa në formacionin e Bekim Isufit nuk do të ketë. “Derbi kundër Gjilanit ka ardhur në kohën më të mirë, kur ne si skuadër jemi duke kaluar nëpër një formë të jashtëzakonshme, për të cilën dëshmojnë rezultatet e arritura. Mungesa për këtë ndeshje nuk do të kemi, kurse presim që derbi të jetë i zjarrtë sikurse në të kaluarën, kurse fituese do të dalë Drita”, ka thënë Shabani.
Në këtë edicion Gjilani ka rezultate më të dobëta se Drita, por për ndeshjen që zhvillohet sot synohet vetëm fitorja.
“Një prej lojtarëve më të mirë të Gjilanit, Betim Haxhimusa, ka bërë me dije se presioni është në skuadrën kundërshtare dhe në këtë ndeshje synohen tri pikët. Ne nuk kemi çfarë të kalkulojmë në këtë ndeshje dhe hymë vetëm për tri pikët e plota. E mira është se nuk do të kemi asnjë mungesë dhe presim një ndeshje të fortë dhe një atmosferë edhe në tribuna”, ka deklaruar Haxhimusa.
Drita është e para me 59 pikë, kurse Gjilani zë vendin e shtatë me 43 pikë. Krahas kësaj ndeshje, sot zhvillohet edhe derbi në Drenas, Feronikeli është nikoqir i skuadrës së Prishtinës.
Vala SUPERLIGA
Të mërkurën takohen:
Liria-Trepça ’89
Gjilani-Drita
Feronikeli-Prishtina
Llapi-Drenica
Të enjten takohen:
Vllaznia (P)-Vëllanzimi
Besa-Flamurtari
Tabela
- Drita 59 pikë
- Prishtina 56
- Liria 47
- Llapi 45
- Drenica 45
- Trepça ’89 44
- Gjilani 43
- Feronikeli 42
- Vëllaznimi 36
- Flamurtari 19
- Besa 19
- Vllaznia 14
(Veton ZYMBERI)