Drita kërkon fitoren e tretë, Vëllaznimi s’dëshiron humbje
Njëzetë pikë është dallimi në mes të Dritës së Vëllaznimit, por sot këto skuadra kanë synime të mëdha në ndeshjen që zhvillohet në Gjilan. Kryesuesit e elitës kërkojnë tri pikët e plota, kurse kuqezinjtë nuk duan të dalin pa pikë nga kjo ndeshje. Në orën 13:00 në stadiumin “Përparim Thaçi” zhvillohet edhe ndeshja tjetër e kësaj xhiroje në mes të Lirisë dhe Feronikelit.
Dy fitore në sezonin pranveror dhe marrja e kryesimit në Vala Superligë e kanë motivuar skuadrën e Dritës nga Gjilani që të vazhdojë me fitore edhe në ndeshjet e radhës. Sulmuesi Kastriot Rexha ka thënë të premten për gazetë se Drita synon fitoren e tretë ndaj Vëllaznimit nga Gjakova.
“Për ne kjo është një lojë shumë e rëndësishme, por edhe ndër më të vështirat për faktin se kushtet në stadium nuk janë në nivel. Terreni është i rënduar nga bora dhe balta, prandaj ne futbollistët nuk do ta kemi të lehtë ta zhvillojmë lojën tonë. Përndryshe, jemi të përgatitur dhe duam fitoren e radhës,
sepse vetëm kjo është rruga drejt objektivit kryesor që është titulli i kampiones”, ka thënë Rexha, i cili deri tash ka realizuar shtatë gola në elitë.
Ndryshe nga Drita, Vëllaznimi nga dy ndeshjet e para në sezonin pranveror ka regjistruar një humbje dhe një barazim, por në këtë ndeshje synon një tjetër rezultat pozitiv që i jep mundësinë për t’i ikur edhe më shumë zonës së barazhit. Shtylla e mbrojtjes së ekipit kuqezi, Alban Dragusha, ka vlerësuar se pozita në të cilën gjendet skuadra gjakovare nuk është reale.
“E mira për këtë ndeshje është se nuk kemi asnjë mungesë, kurse jemi munduar të përgatitemi si për të gjitha ndeshjet e tjera. Drita është një ndër dy-tri ekipet më të mira në vend dhe është e vështirë gjithmonë të luash kundër saj. Ajo kërkon pikët që e mbajnë në garën për titull, kurse neve na duhen pikët për t’i ikur zonës së barazhit. Me këtë rast mund të them se pozita ku jemi aktualisht nuk është reale për Vëllaznimin”, ka thënë Dragusha për “Epokën e re”.
Drita është e para në tabelë me 36 pikë, kurse Vëllaznimi renditet në pozitën e nëntë me 26 pikë. Përveç kësaj ndeshje, sot (e premte) zhvillohet edhe ndeshja në mes të Lirisë së Prizrenit dhe Feronikelit nga Drenasi.
(Veton ZYMBERI)