Drita kërkon maksimumin ndaj Malmos

10 korrik 2018 | 14:18

Trajneri Bekim Isufi dhe futbollistët Ardian Limani, Xhevdet Shabani dhe Përparim Livoreka kanë pranuar se Malmo është favorite për këtë ndeshje, por premtojnë se me ndihmën e “Intelektualëve” në stadiumin “Adem Jashari” t’i befasojnë suedezët. Drita në Ligën e Kampionëve ka mundur Santa Colomanin dhe Lincoln Red Impsit.

Kampionia e Kosovës, Drita, është gati për ndeshjen e fazës së parë të parakualifikimeve për Ligën e Kampionëve ndaj kampiones së Suedisë, Malmos. Kjo ndeshje zhvillohet sonte (e martë) në stadiumin olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë me fillim nga ora 20:45.

Trajneri Bekim Isufi ka thënë se kundërshtari është favorit në këtë ndeshje, por beson se lojtarët e tij do të angazhohen maksimalisht për të pasur një paraqitje sa më të mirë, pse jo për të marrë edhe një rezultat pozitiv. “Është një ndeshje historike jo vetëm për klubin tonë, por edhe për futbollin e Kosovës, sepse dihet sa është dashur të presim për zhvillimin e këtyre ndeshjeve. Kemi pasur kohë të përgatitemi më shumë sesa në dy ndeshjet e para, por dihet se përballë e kemi një kundërshtar të nivelit të lartë. Malmo është favorite, por ne nuk do të dorëzohemi dhe besoj shumë te lojtarët, se do ta japim maksimumin dhe të paraqitemi mirë, aq sa na lejon kundërshtari”, ka thënë Isufi. “E mira është se kemi ruajtur boshtin e ekipit nga edicioni i kaluar dhe na janë larguar vetëm dy lojtarë të rëndësishëm, por jemi mundur t’i mbulojmë ato hapësira aq sa na ka lejuar tregu i transferimeve. Për këtë fazë do të ishte mirë të kemi një fond më të madh të lojtarëve”, ka deklaruar Isufi.

Ndërsa kapiteni Ardian Limani ka thënë se është shumë i lumtur që numri i tifozëve “Intelektualët” do të jetë i madh në stadiumin “Adem Jashari”. “Është një lajm i mirë se numri i tifozëve ‘Intelektualët’ do të jetë i madh për të na përkrahur. Ky është një motiv shtesë për ne dhe do ta japim maksimumin për ta shpërblyer përkrahjen e tyre”, ka deklaruar ai.

Lojtari më i mirë i Dritës, Xhevdet Shabani, ka deklaruar: “Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë duke pasur parasysh se kundërshtare e kemi Malmon. Jemi përgatitur gjatë gjithë javës për këtë ndeshje. Besoj se do të marrim një rezultat pozitiv”.

Për këtë ndeshje ka folur edhe Përparim Livoreka, i cili ka deklaruar se kundërshtari i së martës është shumë i fortë për t’u mposhtur. “Përballë e kemi një kundërshtar shumë cilësor që e njohin të gjithë, por nuk na frikëson aspak. Do të hyjmë për ta luajtur lojën tonë, pse jo edhe të marrim rezultat pozitiv. Kemi bërë gjëra të mira në këto ndeshje evropiane. Besojmë se do të paraqitemi mirë edhe të martën”, ka deklaruar Livoreka.

Drita në këtë edicion në arenën ndërkombëtare e ka mposhtur skuadrën Santa Coloma të Andoras me rezultat 2-0, edhe Lincoln Red Imps FC nga Gjibraltari me rezultat 4-1.

(Veton ZYMBERI)  

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri i klubit francez të Nices, Patrick Vieira, ka pranuar…