Drita mbyll rrugëtimin evropian, eliminohet nga Legia
Drita e ka përfunduar rrugëtimin e vet evropian në Ligën e Konferencës pasi është eliminuar nga skuadra polake, Legia Varshavë në fazën e ‘play-off’-it. Në ndeshjen kthyese, që u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, polakët fituan me rezultat 0:1. Me këtë fitore, Legia siguroi kualifikimin tutje me rezultatin e përgjithshëm 3:0, pasi në shtëpi kishte fituar 2:0.
Drita hyri në ndeshje me një energji të madhe dhe një dëshirë të flaktë për të përmbysur disavantazhin nga ndeshja e parë. Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme dhe momenteve premtuese, skuadra gjilanase nuk arriti të realizojë asnjë gol që do të mund të rihapte ndeshjen për kualifikim.
Momente të vështira për skuadrën gjilanase u krijuan pas minutës së 77-të, kur kapiteni Rron Broja u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, duke e lënë Dritën me një lojtar më pak në fushë. Edhe pse në disavantazh numerik, Drita vazhdoi të sulmonte dhe e kërcënoi seriozisht portën kundërshtare me një gjuajtje nga distanca të Almirit Ajzeraj, por e cila nuk përfundoi në cakun e duhur.
Legia, e cila erdhi në Prishtinë me një epërsi komode nga ndeshja e parë, e menaxhoi mirë lojën dhe mbrojtjen, duke e mbajtur Dritën larg nga shënimi i golit, teksa në minutat shtesë të ndeshjes, çeku Tomas Pekhart shënoi golin e vetëm të takimit, duke vulosur fitoren e Legias dhe eliminimin e Dritës nga gara evropiane.