Drita mposhtet nga Malmo, Shkëndija mposhti TNS-në
Kampionia e Kosovës në futboll, Drita, ka pësuar humbje të martën në mbrëmje nga Malmo (0-3), në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë, në kuadër të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve.
Dy golat ekipi suedez i shënoi në pjesën e parë nëpërmjet Carlos Strandberg (13) dhe Arnor Ingvi Traustason (39), kurse Markus Rosenberg (82) e shënoi golin e tretë. Drita në këtë edicion ka shkëlqyer në arenën ndërkombëtare, pasi ka mposhtur Santa Colomanin e Andoras me rezultat 2-0 dhe Lincoln Red Imps FC nga Gjibraltari me rezultat 4-1.
Skuadra tjetër shqiptare, Shkëndija e Tetovës, e deklasoi TNS-në, duke e mposhtur me rezultat 5-0. Katër gola për Shkëndijen i shënoi Besart Ibrahimi, kurse një tjetër Izair Emini.
/Epoka e re/