Drita në Suedi të lë përshtypje të mirë

17 korrik 2018 | 10:19

Drita e zhvillon ndeshjen kthyese ndaj Malmos sonte me fillim nga ora 19:00 në Suedi. Bujar Shabani ka thënë se gjilanasit synojnë të lënë përshtypje sa më të mirë si klub, por edhe si futboll i Kosovës. “Synimi ynë është të paraqitemi mirë dhe të lëmë përshtypje sa më të mirë për klubin tonë dhe Kosovën”, ka thënë Bujar Shabani.

Kampionia e Kosovës në futboll, Drita, sonte (e martë) do ta zhvillojë ndeshjen kthyese në kuadër të rrethit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve dhe, me gjasë, edhe të fundit për këtë edicion. Kundërshtare e skuadrës nga Gjilani do të jetë kampionia e Suedisë, Malmo, e cila në ndeshjen e parë në stadiumin “Adem Jashari” fitoi me rezultat 0-3. Bujar Shabani ka thënë të hënën për “Epokë e re” se synimi i kampionëve të Kosovës është të paraqitet sa më mirë në ndeshjen që do të zhvillohet nga ora 19:00.

“Në këtë ndeshje do të luajmë pa presion dhe do të përpiqemi ta vëmë në vështirësi skuadrën kundërshtare, pasi ne nuk kemi më çfarë të humbim. Do të luajmë një lojë sulmuese për tifozët që na kanë mbështetur në vazhdimësi. Shpresoj të kemi edhe fatin me vete, sepse në ndeshjen e parë nuk kemi pasur fat. Synimi ynë është të paraqitemi në mënyrë sa më të mirë dhe të lëmë një përshtypje sa më të mirë për klubin tonë dhe Kosovën”, ka thënë Shabani.

Për paraqitjen e parë të Dritës në ndeshjen ndaj Malmos (0-3), analisti dhe ish-futbollisti i kësaj skuadre, Genc Sermaxhaj, ka thënë se përvoja e Dritës ishte e pamjaftueshme për t’i bërë ballë skuadrës suedeze. “Malmo tregoi se është ekip më shumë përvojë, kurse Dritës i mungoi përvoja në gara të tilla, cilësia e futbollistëve kundrejt Malmos me përvojë, futbollistë me efikasitet para portës. Ata iu lejuan hapësira futbollistëve të Dritës, më pas me tri pasime realizonin gola. Kjo bëri edhe dallimin në atë ndeshje”, kishte deklaruar Sermaxhaj.

Drita në këtë edicion në arenën ndërkombëtare e ka mposhtur skuadrën Santa Coloma të Andoras me rezultat 2-0, edhe Lincoln Red Imps FC nga Gjibraltari me rezultat 4-1. Skuadra tjetër që e përfaqëson Kosovën në garat ndërkombëtare, FC Prishtina të enjten nga ora 19:00 e pret në Mitrovicë skuadrën e CS Fola Esch. Ndeshja e parë në mes këtyre dy skuadrave e zhvilluar në Luksemburg përfundoi 0-0.

/Veton ZYMBERI/

 

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së hënës…