Drita përfundoi përgatitjet në Turqi
Kampionia në fuqi e Kosovës në futboll dhe liderja e klasifikimit në Superligë, Drita, ka përfunduar të mërkurën fazën përgatitore në Turqi.
Në njoftimin e klubit nga Gjilani bëhet me dije se gjatë kësaj faze gjithçka ka shkuar sipas planifikimeve dhe asnjë futbollist nuk është lënduar.
“Të mërkurën ka qenë dita e fundit e fazës përgatitore në Antalia të Turqisë. Ekipi ka qëndruar për 15 ditë dhe ka zhvilluar gjithsej pesë ndeshje kontrolluese. Gjithçka ka shkuar mirë dhe ashtu siç është planifikuar. Na gëzon fakti që gjatë kësaj faze nuk kemi pasur ndonjë lëndim dhe kjo ka qenë shumë e rëndësishme. Pas kthimit në Kosovë, më 9 shkurt do ta kemi ndeshjen e parë për këtë vit përballë ekipit të Prishtinës në kuadër të Kupës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e skuadrës gjilanase.
/Epoka e re/