Drita pret fitore edhe në përballjen me Malishevën

30 tetor 2021 | 08:38

Nënkampionia në fuqi e Kosovës në futboll, Drita nga Gjilani, e zhvillon ndeshjen e radhës kundër Malishevës.

Pas fitores në ndeshjen e kaluar ndaj Llapit, trajneri Ardian Nuhiu dhe futbollisti Përparim Islami kanë paralajmëruar se synim i Dritës është vazhdimi i serisë së fitoreve në elitë.

Skuadra e Dritës nga Gjilani e zhvillon ndeshjen e radhës në BKT Superligën e Kosovës në futboll kundër Malishevës në stadiumin “Selami Osmani – BEZI”. Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, ka thënë se ka respekt të madh për kundërshtaren e radhës, derisa ka premtuar se futbollistët e drejtuar nga ai do t’i qasen me seriozitet të madh kësaj ndeshje.

“Kam respekt për kundërshtarin, e cila ka treguar se mund të befasojë çdo skuadër. Kësaj ndeshje do t’i qasemi me seriozitetin më të madh. Jam i lumtur me fitoren e fundit dhe me formën e skuadrës. E kemi ndier në ndeshjen e parë se sa me vështirësi e kemi fituar takimin. Do të kërkoj nga futbollistët që të dalin te vetvetja dhe të përpiqen të luajnë mënyrën e lojës që ne kërkojmë”, ka thënë Nuhiu.

“Ka qenë çështje kohe sepse kemi pasur ndryshime të shumta dhe, përveç ndryshimeve, kemi pasur edhe mungesa. Skuadra po mbrohet mirë, por na mungon krijimtaria në pjesën finale, ngaqë na kanë munguar sulmuesit. Tani më vjen mirë që ata janë kthyer, të cilët, përveç që janë kthyer, po e ndihmojnë skuadrën me gola dhe kanë marrë formën e tyre të duhur. Kam besim se nga ndeshja në ndeshje do të jemi mirë e më mirë dhe duke u njohur futbollistët me njëri-tjetrin, mendoj se do të performojnë edhe më mirë pas çdo ndeshje”, ka shtuar Nuhiu.

Në konferencën për media i pranishëm ishte edhe futbollisti Përparim Islami, i cili ka thënë se Drita ka punuar gjatë gjithë javës për këtë ndeshje dhe se synim ka t’i vazhdojë rezultatet pozitive.

“Ndeshjen e radhës e kemi me një ekip të ri në Superligën e Kosovës, e cila ka një grup të lojtarëve shumë të mirë, me përvojë dhe të rinj dhe është ekip i kombinuar. Ne kemi punuar gjatë tërë javës dhe kemi marrë masat e duhura për këtë takim. Shpresoj ta japim maksimumin e t’i marrim tri pikë të plota. Në ndeshjet e fundit kemi ecuri të mirë dhe shpresoj që të vazhdojmë me rezultate sa më të mira në ndeshjet e mbetura”, ka thënë Islami.

Pas njëmbëdhjetë xhirove, Drita renditet në pozitën e katërt me 19 pikë, kurse Malisheva pozicionohet në vendin e gjashtë me 12 pikë.

BKT Superliga

Të shtunën takohen:
13:00 Drita – Malisheva
13:00 Feronikeli – Llapi
13:00 Dukagjini – Gjilani

Të dielën takohen:
13:00 Ulpiana – Ballkani
13:00 Prishtina – Drenica

/Veton ZYMBERI/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Besnik Krasniqi përmes një postimi në llogarinë e vet në…