Drita prezanton tre futbollistë
Skuadra e Ditës ka filluar të përforcohet për edicionin e ri futbollistik 2024/2025. Skuadra nga Gjilani ka prezantuar tre futbollistë brenda 24 orëve. Veton Tusha, Ilir Mustafa dhe Kastriot Rapuca janë tri transferet e skuadrës nga Gjilani.
“Kemi kënaqësinë të ju njoftojmë me lojtarin tonë më të ri, sulmuesin Veton Tusha i cili është ardhja jonë e radhës e këtij afati kalimtarë nga Dinamo City. Tusha ka nënshkruar kontratë 3-vjeçare dhe do të jemi së bashku deri në qershor 2027”, thuhet në njoftimin e Dritës. Tusha është pjese e Përfaqësueses së Kosovës U21 dhe do të jetë një forcë shtesë në repartin ofensivë për trajnerin Zekirija Ramadani.
Transferi tjetër i Dritës është Ilir Mustafa, i cili ka bërë karrierë në disa klube kosovare, por ka përvojë edhe në Ligën e Parë të Turqisë. “Iliri nga sezoni 2015/16 është pjesë e Superligës së Kosovës ku ka luajtur për ekipe si Liria ,Dukagjini dhe së fundmi Malisheva. Iliri ka luajtur edhe jashtë kampionatit tonë ku në sezonin 2020/21 ka luajtur në Ligën e Parë të Turqisë. Mustafa do të jetë një forcë shtesë për sezonin e ri dhe do të jetë pjesë e klubit tonë për dy sezonet e ardhshme deri në qershor 2026”, thuhet në njoftimin e Dritës.
Përforcimi i tretë është Kastriot Rapuca, i cili në tre sezonet e fundit ka qenë pjesë e Superligës së Kosovës me ekipe si Ulpiana, Malisheva dhe së fundmi me ekipin e Fushë Kosovës. Kemi kënaqësinë të ju njoftojmë me lojtarin tonë më të ri, mbrojtësin e krahut të djathtë Kastriot Rapuca i cili është ardhja jonë e parë e këtij afati kalimtarë. Rapuca do të jetë një forcë shtesë në repartin defensivë dhe një konkurrent i fortë nën drejtimin e trajnerit Zekrija Ramadani. Rapuca ka nënshkruar kontratë dy vjeçare dhe do të jemi së bashku deri në qershor 2026”, ka njoftuar skuadra e Dritës.
Drita kampionatin e përfundoi në vendin e tretë, por do të jetë pjesë e garave ndërkombëtare bashkë me Ballkanin, Llapin dhe Malishevën.
/Veton ZYMBERI/