Drita që del nga një libër
Bekim Muhaxheri
(Blerim Rrecaj, Qoshet ku fola me veten, poezi, Armagedoni, Prishtinë, 2021)
Në poezitë e Blerim Rrecajt që nga fillimi e deri në fund të shoqëron drita. Mund të jetë dritë e zbehtë xixëllonjash, dritë e një cigareje që “jep shpirt” në asfalt ose vetë drita e jetës së përditshme që dridhet nën kërcënimin e errësirës.
Në këto poezi njeriu gjithnjë pret se diçka e paparashikuar do të ndodhë dhe pastaj nuk çuditet kur gjethet në parkun Gërmia “mund të bëhen flutura, lule e zogj” e as kur një xixëllonjë e puth autorin në faqe dhe ai mendon se “edhe vetë mund të bëjë dritë”.
Është çudi se si lexuesi nuk ndien as kur “një autori të pushkatuar ia botojnë veprën e tij të plotë” e as kur me një shportë imagjinare mblidhen dëshpërim-shpresat nëpër atdhe.
Blerimi nuk e do dhe as synon madhështinë. Atij i dhimbset një trup i pajetë buburreci ngecur në faqet e një libri, ndërsa nuk dëshiron që zhurmat e makinave ta ndërpresin “një këngë gjinkallash”.
Atë e pengon betoni i pafund “i mbjellë” dhe kabllot që varen nëpër shtylla prandaj, për t’i ikur ngufatjes ose xhunglës prej telash, arratiset në kujtime, në ato që mban mend.
Aty, thuajse vetëm në kujtesë, ka mbetur ende pak natyrë e paprishur – një kajsi kufitare që tash në realitet nuk ekziston, një rreth koshi e loje që, gjithashtu, mund të mos jetë më dhe disa mbresa të bardha nga udhëtimet.
Por kaq nuk mjafton, sepse gjithçka mund të ruhej edhe për një kohë, e ndërtimi i “së resë” duhej të bëhej më kujdesshëm dhe duke mos prishur “të vjetrën”.
Prandaj këtij libri s’kanë si t’i mungojnë edhe poezitë rebele, ato në të cilat njeriu nxjerr mllefin dhe bën me gisht kah fajtori. Duke e ditur se gjithçka është e përkohshme në këtë jetë, se gjithçka e ka një fund, Rrecaj lë gjurmët e tij duke na treguar sinqerisht se si e sa jeton dhe si e shtyn jetën deri në ditën tjetër.
Ai i quan zinxhirë të bezdisshëm “serialet e importuara të lotëve të turbullt”, debatet banale e çjerrjet partiake dhe duke pritur pa fund lëvizjen pa viza, shtron pyetjen: “E çka nëse hapen portat për pasaportat?” Një pyetje së cilës askush nuk i përgjigjet.
Dhe kur nuk merr përgjigje fillon ta fajësosh vetveten. Të duket sikur ia ke kthyer shpinën vetes, sikur po e sheh turbull të ardhmen pa e gjetur turbulluesin dhe pa shpresuar për kthjelltësi.
Megjithatë, poezitë e Rrecajt asnjëherë nuk të shkaktojnë dëshpërim, edhe kur e tregojnë realitetin ashtu si është e pa zbukurime. Në raste të tilla ato vetëm të ndihmojnë ta nxjerrësh jashtë mllefin – atë “lëmshin e mbledhur majë gryke” siç të ndihmojnë ndonjëherë lotët për t’u ndier më mirë.
Blerimi ndoshta pavetëdijshëm e krijon dhe e mirëmban një raport shumë të shëndoshë me lexuesin e tij. Ata që do ta lexojnë librin “Qoshet ku fola me veten” do ta ndiejnë vazhdimisht ndihmën e autorit gjatë ecjes me sy nga poezia në poezi, si një dorë të padukshme që ua hap një nga një faqet e librit.
Që në poezinë e parë ai ia shpjegon lexuesit se çfarë mund të gjejë në këtë libër- një udhëtim krejt origjinal nëpër ditët e kësaj bote, udhëtim pa mendjemadhësi e me shumë modesti. Sepse autori nuk e vendos përmbledhjen e tij në krye të vendit, por nuk dëshiron as që ajo të digjet në shesh a të hidhet për dritare.
Pra, Rrecaj kërkon që lexuesi vetë t’ia bëjë një vend, ta vendosë pas leximit aty ku mendon librin e tij. Dhe kjo është një ofertë shumë bujare nga autori, sepse zakonisht shkrimtarët janë shumë të dhënë pas veprave të tyre dhe të mbeten më qafë po ua kritikove ato. Por Blerimi nuk e ka këtë kompleks e sinqerisht dëshiron që libri i tij të vlerësohet drejt.
Edhe në poezinë e fundit ai i tregon lexuesit se në gjithë librin dhe nëpër ngjarjet që përshkruan ka lënë pjesë të vetes, se aty është ai i shpërndarë.
Poezitë e Blerimit janë poezi Kosove, të gjitha kanë vende ku kanë lindur, histori frymëzimi dhe adresa. Dhe ngjyra të ndryshme. Disa mund të jenë të zeza si korbat që autorit i duken se dalin nga tymtarët e KEK-ut, të tjerat janë të gjelbra si shpërthimi i blertë i Gërmisë, ka edhe të kaltra si qielli i verës ose edhe shumëngjyrëshe si lulet tona.
Por Blerimi nga modestia nuk e merr përsipër autorësinë. Thotë se kur i shkroi poezitë vetëm muza kaloi pranë tij.