Drita sheh shpëtimin te Shpëtim Duro

18 shtator 2018 | 10:40

Shpëtim Duro është emëruar trajner i skuadrës së Dritës. Drejtuesit e klubit shpresojnë se ai do ta rikthejë shkëlqimin e skuadrës që kishte dikur.  58-vjeçari nga Tirana ka drejtuar shumë klube në Shqipëri. Ka drejtuar edhe Shkëndijën e Tetovës në Maqedoni.

Risitë në skuadrën kampione të Kosovës në futboll, Dritën e Gjilanit, nuk kanë të ndalur. Trajneri Bekim Isufi ditë më parë është larguar nga skuadra për shkak të rezultateve të dobëta në këtë kampionat, kurse drejtuesit e kësaj skuadre e kanë zëvendësuar Isufin me trajnerin e mirënjohur nga Shqipëria, Shpëtim Duro. “Mirë se vini, profesor! Nga sot në krye të shtabit teknik në skuadrën tonë do të jetë trajneri i mirënjohur Shpëtim Duro. Duro është trajner i dëshmuar dhe shpresojmë që së bashku do t’i arrijmë objektivat që kemi. Na priftë e mbara!”, thuhet në njoftimin e skuadrës nga Gjilani.

Misioni i trajnerit Duro nuk do të jetë aspak i lehtë, pasi Drita synim ka mbrojtjen e titullit dhe fillimi në këtë kampionat ka qenë tmerrësisht i dobët për të, pasi prej pesë ndeshjeve të luajtura ka regjistruar vetëm një fitore dhe katër humbje. Kjo skuadër është e parafundit në renditjen tabelore në IPKO Superligën e Kosovës në futboll. Ndeshja debutuese e trajnerit Duro do të jetë mjaftë e vështirë, pasi Drita e pret skuadrën e Prishtinës, e cila po kalon nëpër një krizë rezultatesh.

58-vjeçari Shpëtim Duro ka karrierë të pasur si trajner. Ai ka punuar ndihmëstrajner në Kombëtaren e Shqipërisë, kurse më pas ka drejtuar këto skuadra: Partizanin, Tiranën, Besa Kavajën, Skënderbeu Korçë, Vllazninë Shkodër, Shkëndijën dhe Flamurtari Vlorë. Pas krizës në skuadrën e Dritës është larguar edhe drejtori Fisnik Kerçeli, kurse klubi e ka falënderuar për punën dhe angazhimin e madh që ka bërë në rrugëtimin drejt sukseseve në rrafshin vendor dhe ndërkombëtar. “Futbolli është sport i paparashikueshëm. Si i tillë, na dhuroi emocione të cilat vështirë përshkruhen. Ju ishit një nga njerëzit që kontribuuan shumë që ëndrra e dashamirëve të klubit të realizohet. Për punën, angazhimin profesional, sukseset dhe sakrificën për klub do të mbahesh mend gjatë. Jemi shumë krenarë për kohën që bashkëpunuam. Të urojmë shëndet dhe shumë suksese në jetë dhe karrierë!”, thuhet në falënderimin e klubit të Dritës.

Një tjetër risi në skuadrën e Dritës është se të hënën tifozët “Intelektualët” i kanë vizituar futbollistët gjatë seancës stërvitore dhe kanë ofruar mbështetjen e tyre edhe përkundër humbjeve të shumta në këtë edicion, por ata kanë kërkuar nga futbollistët ta japin maksimumin në ndeshjet e radhës për të arritur te rezultatet pozitive.

/Epoka e re/

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas lajmit për lirimin nga burgu të Ermal Hoxhës, Rezarta…