Drita synon t’u rikthehet fitoreve ndaj Malishevës
Sot zhvillohen tri ndeshje në Superligë, kurse ndeshja derbi do të jetë në mes të Malishevës dhe Dritës. Ardian Nuhiu, trajner i Dritës, ka thënë se kundërshtari ka një skuadër cilësore, por se skuadra e tij është përgatitur për t’i marrë tri pikët e plota.
FC Drita, pas barazimit ndaj Llapit në Gjilan, është përgatitur që t’u rikthehet fitoreve në një ndeshje mjaft të vështirë që e pret sot (e mërkurë) kundër Malishevës. Kjo ndeshje zhvillohet në stadiumin “Liman Gegaj” me fillim nga ora 13:00.
Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, beson se skuadra e tij do të ketë paraqitje të përkryer dhe në fund do t’u gëzohet tri pikëve. “Unë kam besim që do të përformojmë në mënyrë të përkryer. Jemi të vetëdijshëm për forcën e skuadrës kundërshtare, pasi ajo ka një start të mirë dhe është përforcuar me futbollistë që e njohin kampionatin. Jemi munduar që të përgatitim skuadrën tonë, të jemi vetvetja dhe të luajmë në mënyrën siç dimë ne. Ndeshja kërkon vlerësim, qasje të plotë dhe mendoj se do ta gjejmë mënyrën dhe veprimet e duhura të dalim nga kjo ndeshje shumë mirë”, ka thënë Nuhiu.
“Objektivi i Dritës është që të fitojmë këtë ndeshje. Objektivat e klubit i kemi deklaruar edhe më herët, por nuk jemi vetëm në garë dhe kemi kundërshtarë të cilët po përformojnë mirë. Është e rëndësishme t’i marrim ndeshjet një nga një, të marrim më të mirën, pastaj të presim rivalët dhe rezultatet e të tjerëve”, ka deklaruar Nuhiu.
Ndërsa futbollisti Albin Krasniqi ka deklaruar: “KF Malisheva ka lojtarë me eksperiencë dhe që dinë të bëjnë diferencën në lojë. Kemi bërë të gjitha përgatitjet dhe shpresoj të jemi në ditën tonë më të mirë. I kemi analizuar futbollistët e saj dhe në përgjithësi skuadrën për ta ndaluar”.
Drita në këtë ndeshje do të jetë pa mbrojtësin Ilir Blakçori për shkak të një lëndimi, ndërsa kthehet Muharrem Jashari. Skuadra e Malishevës renditet në vendin e shtatë me 23 pikë, kurse Llapi është në vendin e katërt me 33 pikë.
Batatina: Ndaj çdo kundërshtari luajmë për fitore
Trajneri Tahir Batatina ka thënë se Llapi do t’i kërkojë tri pikët në stadiumin “Zahir Pajaziti” përballë Feronikelit. Skuadra nga Drenasi po luan me juniorë në sezonin pranveror, por Batatina ka bërë me dije se djelmoshat e tij ndaj çdo kundërshtari kërkojnë tri pikët. “Ne kemi një ndeshje me rëndësi para vetes dhe nuk ka rëndësi se me kë përballemi. Jemi të vetëdijshëm që ndeshja duhet të fitohet. Ndeshja fitohet vetëm në fushë dhe ne si skuadër kemi marrë të gjitha masat që pas ndeshjes së kaluar që kishim me Dritën, të përgatitemi sa më mirë për ndeshjen e nesërme me Feronikelin që të paraqitemi sa më mirë”, ka thënë Batatina, i cili ka konfirmuar se në këtë ndeshje do të debutojë sulmuesi Latif Amadu.
SUPERLIGA – Java 21
Të mërkurën takohen:
13:00 Malisheva – Drita
13:00 Ballkani – Ulpiana
13:00 Llapi – Feronikeli
Të enjten takohen:
13:00 Gjilani – Dukagjini
13:00 Drenica – Prishtina
/Veton ZYMBERI/