Drita vazhdon tutje në Ligën e Konferencës
Drita është bërë skuadra e parë kosovare që ka avancuar në rrethin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Drita avancoi tutje pasi në rrethin e dytë kualifikues eliminoi ekipin nga Islanda, Breidablik me rezultatin e përgjithshëm 3:1.
Pas fitores (2:1) javën e shkuar në Islandë, Drita triumfoi 1:0 edhe në ndeshjen e kthimit të luajtur të martën në Podujevë.
Golin e fitores në këtë përballje e shënoi Kastriot Selmani. Selmani realizoi në minutën e 67-të pas asistimit të Iljasa Zulfiut për të konfirmuar fitoren e Dritës dhe për të vulosur kalimin tutje.
Në raundin e tretë kualifikues, Drita do të përballet me fituesin e ndeshjes Auda – Cliftonville, që do të përcaktohet të enjten.
Drita garat evropiane i ka nisur prej rrethit të dytë kualifikues, pasi të parin e ka kaluar pa lojë.