Dritan Abazoviç: Ne s’e mbështesim terrorizmin, por s’do heshtim derisa vriten fëmijë dhe civilë të pafajshëm
“Mali i Zi kurrë nuk do të mbështesë asnjë organizatë terroriste, por nuk do të heshtë derisa vriten fëmijë dhe civilë të pafajshëm”, ka thënë Kryeministri me mandat teknik i Malit të Zi, Dritan Abazoviç.
Këto komete, Abazoviç i bëri pasi që shteti që ai udhëheqë të premten votoi pro një rezolute në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), ku bëhej thirrje për një armëpushim të menjëhershme dhe të përhershëm në rripin e Gazës, pas ofensivës izraelite.
“Si kryeministër dhe koordinator i MPJ-së së Malit të Zi, për shkak të pyetjeve të shumta brenda dhe jashtë vendit, lidhur me qëndrimin e vendit tonë me rastin e votimit në OKB, kam detyrimin të them se Mali i Zi ka mbështetur rezolutën që thërret për një armëpushim urgjent dhe të përhershëm në Gaza”, ka thënë Abazoviç.
“Mali i Zi kurrë nuk do të mbështesë asnjë organizatë terroriste, por gjithashtu nuk do të heshtë derisa vriten fëmijë dhe civilë të pafajshëm. Në këto situata, sipas mendimit tim modest dhe me respektin e duhur për të gjithë subjektet ndërkombëtare, nuk ka asnjë kufizim”, pohoi.
Mali i Zi, siç tha ai, vazhdon politikën e tij në kohë paqeje.
“Ne lutemi për paqe dhe stabilitet kudo në botë. Krenar për kolegët e mi nga Ministria e Punëve të Jashtme”, theksoi.
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara bëri thirrje me shumicë dërrmuese për një armëpushim të menjëhershëm humanitar midis Izraelit dhe militantëve palestinezë të “Hamas” dhe kërkoi qasje në ndihmë për Rripin e rrethuar të Gazës dhe mbrojtjen e civilëve.
Rezoluta e hartuar nga arabët nuk është detyruese, por ka peshë politike ndërsa Izraeli po rrit operacionet tokësore në Gaza si hakmarrje për sulmin më të rëndë të “Hamasit” ndaj civilëve izraelitë në historinë 75-vjeçare të Izraelit më 7 tetor.
Rezoluta u miratua me 120 vota pro, 45 abstenime dhe 14 – përfshirë Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës – votuan kundër.