DRITAN ABAZOVIQI E KA KUPTUAR DHE E KA DENONCUAR REALITETIN E HIDHUR

01 qershor 2022 | 21:45

Faktorizimi i Dritan Abazoviqit është meritë ekskluzive e vetë atij, e jo pjesë e ndonjë programi politik e kombëtar shqiptar. Përkundrazi është reagim ndaj mungesës së çfarëdo programi politik e kombëtar shqiptar. Siç është ngritja e temperaturës së organizmit simptomë e një sëmundjeje, suksesi i një lëvizjeje të tillë qytetare, është simptomë e katandisjes së ideologjisë kombëtare shqiptare në Shqipëri po edhe në Kosovë e prej andej edhe në periferitë shqiptare.

Milazim KRASNIQI

Zgjedhja e Dritan Abazoviqit për kryeministër të Malit të Zi, si edhe përfshirja e tij e mëhershme në koalicionin qeverisës proserb, kanë shpërfaqë mjerimin e mendimit politik e shqiptar në Tiranë e në Prishtinë, më shumë se sa ndonjë mungesë logjike a pragmatizmi në veprimin politik të shqiptarëve në vetë Malin e Zi. Në Tiranë e në Prishtinë, në fillim Abazoviqi u etiketua si mercenar e tradhtar, ndërsa kur kaloi në krahun e Gjukanoviqit, u cilësua si guximtar e atdhetar. Ndërsa, edhe në rastin e parë e edhe në të dytin, veprimi politik i tij ishte pragmatik, brenda garës për afirmim e për pushtet konkret brenda shtetit malazez. Në kohën kur ai po bënte politikë, disa qarqe hipokrite në Tiranë e në Prishtinë, po bënin së koti retorikë. Rezulati i politikës së Abazoviqit është i qartë tashmë: po të mos bënte kaolicionin e parë me forcat proserbe, Dritani mund të mos kishte fare shansin të bëhej kryeministër dhe në atë rast nuk do të bëhej faktor kaq i rëndësishëm jo vetëm në në Malin e Zi, po edhe në kalkulimet gjeopolitike, veçmas pas agresionit rus kundër Ukrainës dhe rirreshtimet dramatike, që po ndodhin nën efektet e atij agresioni. Do të mund të ishte një zgjatim i pushtetit të Gjukanoviqit, siç kanë qenë shumë shqiptarë të tjerë para tij. Por, ai zgjodhi të luante lojë më të fortë, se sa loja që ua rrokë rradakja disa pseudopatriotëve e pseudointelektualëve tiranas e prishtinas.

Reagimet histerike dhe pseudopatriotike

Lëvizjet e tij në skenën politike malazeze, mbeten të padeshifrueshme për elitat politike e intelektuale shqiptare të Tiranës e Prishtinës, për arsye të njohura. Siç kam konstatuar para disa vitesh në librin “Nacionalizmi shqiptar”, në vazhdimësi “të gjitha ndryshimet politike e gjeopolitike, të ndodhura që nga fillimi i shpërbërjes së ish Jugosllavisë, rënies së regjimit enverist në Shqipëri dhe produktet e shumta që kanë dalë nga këto zhvillime në jetën shqiptare, nuk janë studiuar në mënyrë sistematike dhe nuk janë vlerësuar realisht, që kështu të dihet vlera e tyre dhe ndikimi i mëtejshëm në jetën kombëtare. Me gjithë këto universitete publike e private, me gjithë këto institute, me gjithë këto qendra studimesh politike e ballkanike, me gjithë këto akademi shkencash, mendimi politik e intelektual mbetet i vakët, i pasistemuar, i paprofilizuar dhe pa ndikim në jetën politike e shoqërore të shqiptarëve. Prandaj, edhe ka kaq shumë aventurizma e amatorizma në veprimet politike, të cilat në vend që të denoncoheshin si të tilla, nën tamtamet e propagandës dhe të promovimeve mediale, po shndërrohen në shembuj “patriotizmi e nacionalizmi të kulluar shqiptar”, edhe kur nuk janë të atilla me asgjë…” Fatkeqësisht edhe rasti me Dritan Abazoviqin futet brenda kësaj tablloje pesimiste, sepse si reagimet histerike në rastin e parë, ashtu edhe reagimet pseudopatriotike në rastin e dytë, e ilustrojnë mjerimin e mendimit politik e intelektual.
Fatkeqësisht, nuk është në gjendje të mjerë vetëm mendimi politik e intelektual. Në gjendje edhe më të mjerë është veprimi politik e parlamentar, veçmas në Tiranë, po edhe në Prishtinë. Madje në gjendje shumë më të mjerë se sa lëvizja fillestare e Abazoviqit drejt pushtetit.

Veprimet antikombëtare të paketuara si interesa kombëtare

Fjala vjen, refuzimi në Kuvendin e Shqipërisë që të miratohej rezoluta e propozuar nga opozita, që të dënohej krimi i gjenocidit në Srebrenicë, tregon katandisje morale, politike e kombëtare në atë vend. Të mos miratosh rezolutën për dënimin e krimit të gjenocidit në Srebrenicë, do të thotë të jesh aleat me Serbinë dhe me sajesën gjenocidale, të quajtur Republika Serpska. Kjo do të thotë të jesh kundër interesave strategjike shqiptare dhe kundër vlerave të demokracive perëndimore, të cilat krimin në Srerbrenicë e kanë kualifikuar si gjenocid dhe e kanë dënuar si gjenocid.
Në linjë të njëjtë antikombëtare janë veprimet e qeverisë së Tiranës me projektin serbomadh, “Ballkani i Hapur”, i cili është një thikë pas shpine për Kosovën. Ndërsa, veprimet e qeverisë aktuale të Prishtinës, të cilat sollën largimin nga Kosova të “Kontur Global” si edhe dilemat lidhur me gazsjellësin nga Maqedonia, poashtu janë të dëmshme dhe në kundërshtim me interesat strategjike shqiptare. Prandaj, kur krahasohen këto veprime të Tiranës zyrtare dhe të Prishtinës zyrtare me veprimin e Abazoviqit, kur u inkuadrua në koalicionin qeverisës proserb në Malin e Zi, veprimi i tij duket më beninj. Pse? Shqiptarët në Malin e Zi kanë vuajtur shumë, duke qenë si minoritet në një lloj senduiqi ndërmjet nacionalizmit serbomadh dhe nacionalizmit malazez dhe injorimit kronik nga Shqipëria e nga Kosova. Si pasojë e presioneve, injorimit, varfërisë, ndër decenie një numër i madh i shqiptarësh, kanë emigruar dhe ashtu është dobësuar fuqia politike dhe ekomomike e tyre në Malin e Zi. Kanë mbetur një minoritet shumë i vogël, me tendencë të zvogëlimit të mëtejshëm demografik, ndërsa një pjesë edhe nën procesin e asimilimit në boshnjak. Edhe nga ajo pozitë shumë e rëndë, shqiptarët e mbetur në Malin e Zi, u treguan vizionarë, sepse dhanë kontribut për pavarësimin e Malit të Zi, gjë që ka pasur ndikim të madh edhe për arsyetimin e pavarësisë së Kosovës, meqë prishja e Jugosllavisë së Zhablakut, e hoqi gozhden e fundit, ku do të mund të tentohej të rivarej autonomia e Kosovës. Por, as ky kontribut i tyre nuk është vlerësuar realisht, në mendimin politik e intelektual shqiptar, as në Kosovë e aq më pak në Shqipëri. Përkundrazi, edhe pse presionet ndaj shqiptarëve të Malit të Zi kanë vazhduar edhe pas pavarësimit dhe janë të faktuara, as Shqipëria e as Kosova, nuk kanë bërë ndonjë veprim konkret, që ta amortizonin atë presion dhe të ndikonin në ndalimin e emigrimit të shqiptarëve në SHBA e gjithandej nëpër botë.
Ajo që është poaq e hidhur në tërë këtë tabllo është fakti se shumë nga shqiptarët me prejardhje nga Mali i Zi, që kanë ardhë e janë situuar mirë në Kosovë, ku kanë bërë karriera akademike e politike, i kanë injoruar sistematikisht problemet e bashkëkombasve të vet. Disa prej tyre kanë folë e shkruar për Shkup e për Shkodër, si thuhet, por me problemet dramatike të vendasve të vet, janë marrë pak ose aspak. Si duket nuk kanë dashur të prishin idilin e pushimeve në bregdetin malazez. Ndërsa, që të kthehej ndonjëri e të kontribuonte direkt në konsolidimin e tyre politik, siç pati bërë Riza Halimi në Luginën e Preshevës, ose Arben Xhaferi në Maqedoninë e Veriut, as që bëhet fjalë. Injorimi i problemeve të bashkëkomvasve të tyre të shumëvuajtur ka qenë qëndrimi dominues. (Nuk po flas për emocionet që mund t’i kenë pasur, po flas vetëm për veprimet që nuk janë bërë.) Bile nuk është reaguar si duhet as për presionet, as për shpërnguljet e madje as për asimilimin e shqiptarëve në Rozhajë, Plavë e Guci. Në një rast e kam përshkruar me dhimbje procesin e asimilimit të shqiptarëve të Rozhajës edhe me këto fjalë: “shqiptarët e Rozhajës janë rast tipik i fenomenit postmodernist të kalimit heshturazi, gati pa e kuptuar mirë as vetë, nga një identitet në një tjetër. Ata janë të braktisur e të harruar nga Shqipëria tash një shekull. Por, janë të braktisur edhe nga Kosova, e cila në vend se të preokupohet më shumë me ta, preokupohet se ku do të jetë kufiri që do ta finalizojë ndarjen fizike me ta. Prandaj shqiptarët e Rozhajës janë detyruar të zgjedhin mes dy rrugësh pa krye: ose të ikin nga sytë këmbët, sikundër kanë bërë tashmë edhe tre nga gjashtë fshatrat e bashkësisë lokale të Dacajve, ose të boshnjakizohen, siç kanë bërë disa të tjerë, që jetojnë në qytezën e Rozhajës.”
Brenda kësaj gjendje të rëndë, brenda këtij injorimi, çka mund të bënin politikanët lokalë shqiptarë në Malin e Zi? Çka duhej të bënte edhe Dritan Abazoviqi?

“Dy dyer janë për një krye”

Ngritja politike e Dritan Abazoviqit duhet të vendoset e të vlerësohet në kuadrin e gjendjes së mjerë të mendimit politik e intelektual mbarëshqiptar dhe të mjerimit të veprimit politik, qeveritar e parlamentar në Shqipëri e në Kosovë. Në pajtim me fjalën e urtë që thotë: “dy duer janë për një krye”, Abazoviqi dhe votuesit e tij shqiptarë në Malin e Zi, e kanë kuptuar realitetin e hidhur se janë të braktisur. E kanë kuptuar se ata duhet t’i ndihmojnë vetvetes me organizim më pragmatik politik, sepse nuk kanë çka presin ndihma nga Shqipëria e nga Kosova, ku mendimi kombëtar ka degraduar, ndërsa veprimi politik në shumë raste është kompromentuar. Lëvizja qytetare “Ura” e ka kapë momentin dhe e ka mobilizuar një elektorat të vogël por të mjaftueshëm, që të shndërrohej në një forcë që e luan boçën e kandarit në skenën politike malazeze. Faktorizimi i Dritan Abazoviqit është meritë ekskluzive e vetë atij, e jo pjesë e ndonjë lëvizjeje shqiptare, ose programi kombëtar shqiptar. Përkundrazi është reagim pragmatik ndaj mungesës së çfarëdo programi politik e kombëtar shqiptar. Siç është ngritja e temperaturës së organizmit simptomë e një sëmundjeje, suksesi i një lëvizjeje të tillë qytetare, është simptomë e katandisjes së ideologjisë kombëtare shqiptare në Shqipëri po edhe në Kosovë e prej andej edhe në periferitë shqiptare.
Mundet që Abazoviqi si kryeministër i Malit të Zi, do të bëjë punë të dobishme edhe për kombin tonë, më shumë se sa kryeministrat në Tiranë e në Prishtinë, për arsye se ai është më qartësisht aleat i SHBA dhe NATO-s. Por, çfarëdo që të jetë kontributi i tij, ai kontribut do të jetë vlerë e shtuar e pozitës së tij ekskluzivisht si kryeministër i Malit të Zi, e jo si ndonjë kryeministër me parashenjë shqiptare, siç e kanë Rama e Kurti aktualisht. Dritan Abazoviqi ka obligime primare ndaj të gjithë qytetarëve të Malit të Zi, në atë sfond sigurisht edhe shqiptarëve të Malit të Zi. Por, ai ka obligime më konkrete edhe ndaj NATO-s, Bashkimit Evropan dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Brenda kësaj stature, kontributi i tij edhe për shqiptarët mund të jetë signifikant. Ndoshta mund të shndërrohet edhe në model për kryeminstrat e ardhshëm të Kosovës e të Shqipërisë?! Si? Suksesi në stabilizimin e Malit të Zi, anëtarësimi eventual në Bashkimin Evropian, mund ta bëjnë kryeministër model në shkujat shqiptare e edhe ballkanike. Jo vetëm në të ardhmen por as sot askush nuk mund të thotë se është më keq të kesh një kryeministër me parashenjë politike qytetare, por që punon për interesat strategjike kombëtare, se sa një kryeministër me parashenjë gjasme kombëtare, por që dëmton interesat strategjike kombëtare.
Në gjendjen ku jemi, ku nacionalizmi shqiptar është pothuajse ineksiztent, na duhet një reflektim vendimtar edhe në këto aspekte, sepse “sot nacionalizmi shqiptar faktikisht nuk ekziston as si ideologji e përpunuar dhe konsoliduar për veprim në rrethanat e sotme, madje as si një lëvizje kulturore mobilizuese dhe prodhuese e vetërespektit dhe një shtrese më të fuqishme të identitetit kombëtar në botën e sotme. (…)Shenjat janë se kështu do të vazhdojë edhe për shumë kohë. Kjo do të thotë se nacionalizmi shqiptar nuk do të ushqehet me idetë e nevojshme, që të rigjallërohet, që të rilindë e të aftësohet që të luajë një rol të ri në kontekstet e reja kulturore e gjeopolitike, në konsolidimin e kombit shqiptar. Fragmentimi i brendshëm dhe integrimi i copëzuar në strukturat europiane do të mbeten trendet dominuese të shqiptarëve, që do të thotë se nacionalizmi nuk do të jetë kontribues i zhvillimit të ardhshëm të kombit.”
Nëse kjo është gjendja dhe nëse kjo gjendje do të vazhdojë, veçmas në Shqipëri e në Kosovë, mungesën do ta kompensojnë figura si Dritan Abazoviqi. Dhe si të tillë, guximtarë dhe lojalë ndaj aleatëve strategjikë, SHBA e NATO-s, janë më të mirë se sa demagogët e populistët e tashëm gënjeshtarë, të cilët gojën e kanë plot “interesa kombëtare”, ndërsa veprimet i kanë shumë herë në dëm interesave kombëtare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Katër persona janë vrarë në të shtënat në një spital…