Dritan apo Abazoviq?
Shkruan: Driton Lajçi
Sot Dritan Abazoviqi është një ndër figurat qendrore në Mali të Zi. Ardhja e tij në kreun e Qeverisë së Malit të Zi për shumëkënd ishte befasi për shkak të mbështetjes nga boshnjakët, malazezët, serbët dhe shqiptarët.
A gaboi me trajtimin favorizues ndaj Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi? Për këtë partia e Milo Gjukanoviqit kaloi mocionin e votëbesimit në parlamentin malazez ndaj qeverisë së udhëhequr nga mandatari Dritan Abazoviq dhe u caktua data e zgjedhjeve parlamentare.
Kalkulimet e Gjukanoviqit, se duke goditur Dritan Abazoviqin dhe koalicionin e tij për raportet me Kishën Ortodokse Serbe në Mal të Zi dhe promovimin e orientimit te Milos si properëndimor, nuk “pinë ujë”, madje as te malazezët. Partia e Gjukanoviqit ka lënë gjurmë në Mal të Zi me vendime të guximshme, por këtë herë gaboi me kandidatin për president i cili nuk e kuptoi se koha e tij kishte ikur.
Mos të presim nga Dritani se ai do të jetë patriot shqiptar që do të ecë sheshit të Podgoricës si Isa Boletini në Vlorë. Ai sot është udhëheqës popullor, karizmatik dhe gëzon simpati nga malazezët, serbët, boshnjakët dhe shqiptarët. Këto raste janë të rralla në Ballkan.
Qasja se është Dritan dhe patriot kur nderohet nga komuna e Prishtinës, ndërsa Abazoviq dhe tradhtar kur viziton dhe mirëpritet nga Patrikana e Pejës, është e gabueshme. Këtu duhet ta kemi peshoren në terezi. Mos ta kualifikojm apriori liderin popullor të Malit të Zi, Dritan Abazoviqin, si proserb.
Prandaj është lajm i mirë që koalicioni i dominuar nga partitë pro serbe në Mal të Zi, tash edhe me presidentin e Malit të Zi, vazhdojnë të mbeten pro njohjes së pavarësisë së Kosovës. Kjo sigurisht se është meritë edhe e Dritan Abazoviqit.
Vizita e Dritanit në Kosovë ishte tregues i vullnetit të tij dhe orientimit miqësor që ka për Kosovën dhe Malin e Zi.
16.04.2023