Driton Lajçi: Të mos i harrojmë ata që kontribuuan për shtetin e Kosovës
Driton Lajçi, ish-organizator i protestave studentore, ka thënë se në këtë dhjetëvjetor nuk duhet harruar ata që kanë dhënë kontribut për të ardhur deri te shpallja e pavarësisë së Kosovës.
Në programin e mëngjesit në “RTK”, Lajçi ka bërë thirrje që të ketë unitet kur është në pyetje shteti i Kosovës.
“Ne duhet ta duam vendin tonë, ta respektojmë më shumë njëri-tjetrin, sepse ky është shteti ynë”, ka thënë Lajçi, transmeton “Epoka e re”.
Duke folur për protestat studentore, ai ka thënë se si Lëvizja Studentore e ’97-s ka treguar sukses në misionin e saj.
“Studentët kishin mbetur shpresa e fundit, ata kishte vullnet që të ballafaqohen edhe me të keqen”, ka thënë Lajçi.
Ai përmendur edhe rolin e mediumeve në atë kohë, të cilat kanë dhënë kontribut në misionin që ka pasur Lëvizja Studentore e ’97-s, duke veçuar edhe revistën studentore “Bota e Re”.
Lajçi ka thënë se tashme është ndërtuar korniza e shtetit, për të cilën Lëvizja Studentore ishte organizuar.
Ai ka thënë se tani duhet më shumë zhvillim ekonomik dhe sundim të ligjit.
“Ne duhet të punojmë edhe pak që të sakrifikojmë për qytetarët e Kosovës”, është shprehur Lajçi.
Lajçi ka thënë se në këtë dhjetëvjetor shqiptarët duhet të jenë të lumtur, sepse janë fitues historik.
“Ne duhet të jemi të lumtur dhe ballëhapur, sepse jemi shqiptarët e Kosovës dhe Shqipërisë janë fitues historik. Duhet të ketë sa më shumë shpresë dhe energji pozitive. Kemi bërë shumë, por kemi edhe shumë për të bërë”, ka deklaruar Lajçi.