Driton Lajçi u intervistua për dy orë nga Specialja
Avokati Artan Qerkini ka konfirmuar se drejtori i Zyrës për Mbrojtjen e të Akuzuarve nga Gjykata Speciale, Driton Lajçi, është intervistuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS).
Qekini ka bërë me dije se Lajçi për dy orë është marrë në pyetje nga Specialja me datën 17 tetor 2019.
Sipas tij, Zyra e Prokurorit të Specializuar është interesuar për funksionimin e Zyrës për mbrojtje juridike për personat potencialisht të akuzuar.
“Marrë parasysh lajmin e publikuar në disa media elektronike se z. Driton Lajçi është marrë në pyetje nga ZPS për tri ditë me radhë, për hir të informimit të saktë të opinionit publik dëshiroj që në cilësinë e avokatit të z. Driton Lajçi, t’iu njoftoj se i njëjti është marrë në pyetje nga ZPS vetëm me datën 17 tetor 2019 dhe atë vetëm për 2 orë, me ç’rast Zyra e Prokurorit të Specializuar është interesuar për funksionimin e Zyrës për mbrojtje juridike për personat potencialisht të akuzuar”, është shprehur Qekini.
Ai ka treguar se klienti i tij ka sqaruar funksionin e tij dhe të Zyrës për Mbrojtjen e të Akuzuarve nga Gjykata Speciale. “Z. Lajçi ka dhënë deklaratë në këtë drejtim, duke sqaruar funksionin e tij dhe të Zyrës. ZPS-së i është bërë me dije se themelimi i Zyrës gjen mbështetje në Ligjin Nr. 05/L-054 për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të personave Potencialisht të Akuzuar, i cili është aprovuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”, ka treguar Qerkini.