Driton Selmanaj ia dha 8 pikë, Vigan Qorrolli dikur e tallte se është i Mushtishtit

03 qershor 2021 | 20:36

Avokati Vigan Qorrolli duket se do të marrë e mjaftueshme për t’u zgjedhur gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese. Si kandidati më i poentuar, Qorrolli mori 8 pikë edhe nga Driton Selmanaj që më dikur vetë Qorrolli tallej me të.

Në qeverinë e kaluar kur Selmanaj si zëvendëskryeministër u prit nga presidenti Macron në Elysee.

E Qorrolli tallej me Selmanajn duke ia shtrembëruar emrin dhe duke ia kujtuar me përçmim se zëvendëskryeministri vinte nga fshati Mushtisht i Suharekës.

“A mund ta ketë bind Selman Dritonaj nga Mushtishti i Suharekës, Presidentin Macron ne Elysee rreth lib te vizave per Kosoven?”, kishte thënë Qorrolli për Selmanajn.

E sot kur Qorrolli po zgjidhet gjykatës në Gjykatën Kushtetuese me votat e deputetëve të VV’së, Selmanaj ia dha 8 pikë Qorrollit.

Avokati, qëndrimet e së cilit prej juristi kohët e fundit kanë qenë gjithnjë në kundërshtim me vendimet e kësaj gjykate dhe në favor të Lëvizjes Vetëvendosje, është vlerësuar me më së shumti pikë edhe nga Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit. Aty, dy deputetët e LVV-së, Mimoza Kusari-Lila dhe Adnan Rrustemi i kishin dhënë pikët maksimale (10) avokatit Qorrolli.

Qorrolli, i cili në të kaluarën e afërt ka regjistruar një dështim për t’u bërë gjykatës në Kushtetuese, këtë radhë e pati më të lehtë që ta arrinte synimin, pasi partia që ai e mbrojti vazhdimisht së fundmi, Lëvizja Vetëvendosje ka më së shumti deputetë në Kuvend dhe ishte shumica e deputetëve të saj që sot ia mundësoi atij ta arrinte qëllimin.

Mbështetja e Qorrollit për LVV-në

Me forcimin e Lëvizjes Vetëvendosje në skenën politike, Vigan Qorrolli përmes postimeve të tij në Facebook dhe paraqitjeve në media është shprehur pothuajse gjithnjë në sinkroni me partinë e Albin Kurtit, kryeministrit aktual.

Kur Qeveria e parë e Albin Kurtit ishte rrëzuar dhe LVV kërkonte që të shpalleshin zgjedhjet e reja, Qorrolli shprehej po njësoj, se pushteti i takon vetëm partisë që del e para në rezultatin zgjedhor.

“E vetmja zgjidhje shihen zgjedhjet. Meqë aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese (2014) thotë shprehimisht se presidenti nuk ka diskrecion në refuzimin e kandidatit për kryeministër – po ky aktgjykim në petitumin e tij (pika dh.) thotë se, ‘në rast se kandidati për kryeministër nuk merr votat e nevojshme…’, dhe nuk flet nëse një kryeministër rrëzohet me mocion mosbesimi por, flet vetëm në rast se kandidati për kryeministër nuk e merr besimin e shumicës së nevojshme parlamentare (61 vota)”, shkruante Qorrolli.

Ai shprehej se “vetëm në pikën (e) të petitumit, ky aktgjykim flet për dhënien e serishme të së drejtës për partinë e njëjtë por, me mandatar (kandidat për kryeministër) tjetër”.

“Kjo do të thotë se pa Lëvizjen Vetëvendosje NUK mund të bëhet qeveria e re”, theksonte Qorrolli.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte krejtësisht ndryshe. Kushtetuesja i dha të drejtë partisë së dytë që ta formojë qeverinë e re.

Megjithatë, gjatë kësaj kohe, Qorrolli citohej e thirrej edhe si analist politik. Ai fliste për pazare, ndërsa thoshte se atëherë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e kishte shkelur Kushtetutën duke ia dhënë një partie tjetër (LDK-së) të drejtën për të caktuar mandatarin për kryeministër.

“Ka një shantazh të demokracisë së Kosovës. Kushtetuta e përcakton se në rast të dështimit të zgjedhjes së kryeministrit për herë të parë apo arsye të tjera, posti i tij mund të jetë vakant, nuk e përcakton qartë në rast të mocionit apo ndonjë rasti tjetër. Është hera e parë që ndodh kjo situatë që një qeveri të bëhet për herë të dytë sipas nenit 95 dhe kësisoj kemi në mungesë të një norme të qartë kushtetuese e cila përcakton një afat të qartë se kur fituesi i zgjedhje i përgjigjet Presidentit. Në një situatë të tillë, presidenti nuk është palë e ndonjë strukture politike. Ai ka përdorur një diskrecion që nuk e ka”, deklaronte Qorrolli.

Edhe më qartë ai shpehej kur thoshte se Thaçi po ngutej që Kurtin ta largonte sa më shpejt nga pushteti.

Por paanshmëria është fjalë shumë e rëndësishme në betimin që gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese duhet ta japin kur e marrin detyrën.

Përveç Qorrollit, Jasharit, Xhemajlit e Morinës, për gjykatës të Kushtetueses kishin aplikuar edhe Hava Bujupaj-Ismajli, Shukri Sylejmani, Gjylbehare Murati, Hashim Çollaku, Valbona Shala-Thaqi, Zef Prenrecaj dhe Ramadan Gashi.

Në tentimin e para tri viteve për t’u bërë gjykatës në Kushtetuese, që është autoriteti përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës, Qorrolli kishte marrë më së paku vota (6) në Kuvendin e Kosovës, duke dështuar. Pas kësaj, ai akuzonte se disa kandidatë ishin favorizuar politikisht.

“Politika ka favorizuar disa kandidatë, përballë disa të tjerëve, duke mos i lënë deputetët e lirë të votojnë me ndërgjegjen e tyre dhe t’i votojnë njerëzit më të mirë në bazë të CV-së së tyre, ka bërë që Gjykata Kushtetuese të lëndohet më shumë se që është lënduar”, shprehej ai në RTV Dukagjini në gusht të vitit 2018.

Ai thoshte se deputetët ishin të detyruar të votonin pro përkrahësve të partive në qeveri, ndërsa këtë herë mund t’i duhet të shpresojë për të njëjtën.

“Kam tentuar që të jem një kandidat bipartizan, që t’i bindi të gjitha partitë politike që jam kandidati më i pavarur nga të gjithë të tjerët. Nuk ia kam dalë, sepse deputetët nuk janë lejuar të votojnë lirshëm dhe partitë e pushtetit kanë bërë pazare që t’i votojnë kandidatët e tyre të preferuar”, deklaronte Qorrolli.Express.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një zjarr shpërtheu të enjten pasdite në Grand Hotel “Nuevo…