Dronë të dyshimtë mbi bazat ushtarake amerikane, Britania dislokon trupa

29 nëntor 2024 | 18:16

Autoritetet britanike dhe amerikane po hetojnë rreth disa dronëve që kanë fluturuar mbi katër baza ajrore amerikane në Britani gjatë ditëve të fundit. Britania ka dislokuar 60 trupa ushtarake rreth bazave, mes shqetësimeve se dronët mund të përdoren për të dëmtuar operacionet ose për të kryer akte sabotazhi.

Ushtria amerikane njoftoi të mërkurën se dronë të vegjël janë parë rregullisht duke fluturuar mbi katër baza amerikane në Britani që nga 20 nëntori. Mes tyre edhe baza Lakenheath, ku ndodhet ai që njihet si krahu luftarak 48 i Forcave Ajrore amerikane – një prej bazave më të rëndësishmeve luftarake të saj në Evropë.

Pentagoni tha këtë javë se po i trajton me seriozitet këto incidente.

“Zyrtarët kanë përcaktuar deri tani se asnjë nga këto ndërhyrje nuk ka ndikuar objektet në këto baza”, tha Gjeneral Major Patrick Ryder, Zëdhënës i Pentagonit.

Britania ka dislokuar rreth 60 ushtarë rreth bazave. Ministrja e Mbrojtjes Maria Eagle tha se ata po përdorin “masa mbrojtëse me shumë shtresa”.

“Ne do të sigurohemi që kedo që arrijmë të kapim për përfshirje në këto incidente, të përballet me fuqinë e plotë të ligjit”, tha ajo.

Ushtria amerikane thotë se incidentet me dronë “kanë variuar në madhësi dhe strukturë”. Kjo ka të ngjarë të tregojë një veprim të qëllimshëm, thotë eksperti i sigurisë David Dunn.

“Gjëja më e dukshme është se këto janë praktika që mund te krijojne probleme, që në fakt detyrojnë pezullimin e operacioneve ajrore”.

Dunn thotë se kundërshtarët e SHBA-së mund t’i përdorin dronët edhe për qëllime të tjera – si mbledhja e informacionit të zbulimit mbi numrin e avionëve luftarakë dhe se ku ndodhen ato. Dronët janë parë gjithashtu edhe mbi objektet ku banon personeli ushtarak amerikan.

“Pjesa më delikate e sistemit të përgjithshëm është në fakt ekuipazhi ajror. Dhe nëse zbulohet se ku jetojnë ata, mund të shfrytëzohet për të shkëputur pjesën më të delikate të këtij zinxhiri”, tha Dunn.

Revista Times e Londrës njoftoi se autoritetet nuk e kanë përjashtuar Rusinë si fajtore. Zoti Dunn thotë se ka prova se Moska po kërkon të shtojë sulmet hibride, që do të thotë një formë joushtarake të luftës që mund të jetë gjithashtu shkatërruese.

“Pavarësisht nëse bëhet fjalë për ndërprerjen e kabllove nënujore, apo për dërgimin e pakove me pajisje që marrin flakë, si ajo në qytetin ku unë jetoj, në Birmingham – ku u gjet një pako e tillë në aeroport. Apo incidente si djegia e një magazine ku ruheshin materiale që shkonin në Ukrainë, këto gjëra zakonisht, bëhen nga palë të treta, pra shteti rus duket se ka punësuar kriminelë në Britani”, tha zoti Dunn.

Ambasada ruse në Londër nuk iu përgjigj kërkesave të Zërit të Amerikës për komente deri në momentin e përgatitjes së këtij materiali. Moska ka mohuar më parë çdo përfshirje në sulmet hibride në Perëndim.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjatë festës së mbrëmshme për Ditën e Flamurit, 28 Nëntor,…