Dronët “Bayraktar”, Shqipëria i teston për herë të parë në kushte të errësirës
Për herë të parë, dronët “Bayraktar” kanë zhvilluar fluturime natën.
Ky lloj trajnimi ka si qëllim stërvitjen e pilotëve në kushte më të vështira, për t’u dhënë operatorëve mundësinë të përvetësojnë sa më mirë sistemin UAV të këtyre mjeteve fluturuese.
Sipas njoftimit të Ministrisë, kjo stërvitje i pajis pilotët me aftësitë dhe njohuritë e nevojshme për të orientuar nga distanca, në mënyrë të sigurt këto mjete, në kushtet e errësirës.
Trajnimi përfshin edhe përdorimin e pajisjeve për të vëzhguar natën si dhe sistemet e imazhit termik.
Pilotët dhe Operatorët e Ngarkesave u trajnuan gjithashtu për të interpretuar imazhet termike, të cilat janë thelbësore për identifikimin e objekteve.
Dronët Bayraktar iu shtuan flotës së Forcave të Armatosura të Shqipërisë, si pjesë e modernizimit të mjeteve të saj, për të rritur kapacitetet, jo vetëm në operacionet e stërvitjet ushtarake, por edhe në mbështetje të operacioneve të emergjencave civile apo në monitorimin e territorit, për të ndihmuar me imazhe sa më të sakta institucionet e vendit.
Prej disa muajsh Forcat e Armatosura shqiptare kanë në zotërim 3 dronë Bayraktar, të blerë në Turqi në bazë të një marrëveshje mes dy vendeve.
Këta dronë janë të njohur për efikasitetin dhe teknologjinë e tyre të avancuar.
Ata do të shërbejnë edhe për monitorimin e territorit dhe imazhet e tyre do të jenë në shërbim të institucioneve të shtetit.
Ky është një tjetër hap i rëndësishëm në modernizimin e FA të Shqipërisë, në përmbushje të detyrimeve të Aleancës së NATO-s.
Çfarë janë dronët Bayraktar?
Të lehtë, ekonomikë dhe të manovrueshëm nga distanca.
Emrin, mbajeni mend mirë… Ata quhen Bayraktar!
Lufta në Vietnam, protagonist pati Kallashnikovin, të njohur shkurtimisht si AK-47.
Lufta në Afganistan pati Stinger-in, predhën e famshme kundërajrore, të cilën mund ta përdorte çdokush.
Lufta në Ukrainë, protagonist deri tani, ka pikërisht dronët ushtarakë turq Bayraktar.
Ato, Ukraina i ka blerë nga Ankraja, pikërisht për t’u mbrojtur nga agresioni i Vladimir Putinit, i cili e mori vendimin radikal më 24 shkurt.
Nëse edhe vetëm gjysma e vrasjeve që Kievi pretendon se i ka shkaktuar Ushtrisë ruse (rreth 12 mijë), e gjithë merita – ose të paktën pjesa kryesore e tyre – është e Bayraktar-ëve.
Falë strukturës së tyre, ato mund të kalojnë çdo linjë mbrojtjeje të rusëve dhe të godasin pikërisht aty ku dëshirohet dhe ku më shumë u dhemb kundërshtarëve.
Synimi kryesor deri tani, duket se kanë qenë kamionët e logjistikës, transportuesit, cisternat e ndryshme, apo edhe rrugët e komunikimit.
Ai, teknologjikisht nuk është shumë i avancuar, por efektshmëria që ka e bën të shkëlqeje.
I njohur ndryshe si BT2, Bayraktari është një dron bombardues.
Operatori, i cili e drejton, është në distancë dhe jeta nuk i cenohet. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se ai rri tërësisht jashtë luftës.
Në terma konkretë, me aq sa është vërtetuar nga luftëra apo aksione të mëparshme me Bayraktar-ët, në Etiopi ka një rast kur me një predhë të vetme të dalë nga ai, u vranë 53 persona.
Droni është “i shkathët”, i vogël, ekonomik, mbi të gjitha, letal!
Frenimin e avancimit të Ushtrisë ruse në territorin ukrainas, duhet t’ia dinë atij për falë.
Ai është aq praktik, sa mund të ngrihet në fluturim edhe nga një rrugë e thjeshtë. Kamerat e tij mundësojnë fushëpamje të gjerë.
Një aspekt tjetër interesant, është fakti se ato, i prodhon kompania e dhëndrit të presidentit Recep Tayyip Erdogan.
Debutimin në fushëbetejë e ka pasur në luftën kundër Isis-it në Siri. Më pas, ndaj forcave të Bashaar al-Assad.
Betejat e radhës të Bayraktar-ëve u zhvilluan në Libi. Më tej, në konfliktin në Nagorno-Karabakh, ku i dha fitoren Azerbajxhanit kundrejt Armenisë.
Në Etiopi, shpëtoi Qeverinë nga rrëzimi kundër rebelëve në Tigray.